Ekonomi

Durmishi dhe Hyseni nënshkruajnë për një projekt 27 milionësh në Gjilan

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi dhe kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni kanë nënshkruar sot për nisjen e një projekti 27 milionësh për “qarkoren e qytetit”.

Durmishi publikoi një fotografi në Facebook duke e cilësuar këtë projekt si më të madhin infrasktrukturor ndonjëherë në Gjilan.

“Sapo nënshkruam projektin më të madh infrastrukturor në historinë e Gjilanit, në vlerë totale prej 27 milionë euro. Sivjet nisin punimet në fazën e parë të këtij projekti që do të lidhë të gjitha rrugët kryesore të Gjilanit. Qeveria për komunat”, shkroi Durmishi.

Hyseni, ndërkaq, tha se “qarkorja e re e qytetit” me 4 korsi “do t’i lidhë të gjitha rrugët magjistrale”.

“Nënshkruam projektin më të madhë infrastrukturor në historinë e qytetit, me vlerë rreth 27milion euro, me Zëvendës Ministrin Hysen Durmishi. 🚧👷‍♂👷‍♀ Qarkorja e re e qytetit ka gjatësi rreth 20km, 4 korsi që do të lidhin të gjitha rrugët magjistrale. Gjilani me qeverisje të ndershme e plot dinjitet tashmë ka kthyer vëmendjen meritore”, shkroi ai.

Një hulumtim i institutit GAP ka nxjerrë në fundvit të dhënat që thonë se Lëvizja Vetëvendosje po i favorizon komunat që udhëhiqen nga kjo parti në ndarjet buxhetore të vitit 2024.

/Shqip.com