Sport Ndërkombëtar

Dukagjini fiton në ndeshjen e parë ndaj FC Europa

Dukagjini ka fituar ndaj FC Europa në kuadër të raundit të parë eliminator të Ligës së Konferencës me rezultat 2-1.

Klinasit e nisën më mirë ndeshjen dhe lehtë kanë mundur të kalojnë në epërsi në start, por Eljesa Zylfiu nuk ishte i saktë.

Pas tij Altin Mërlaku bëri gjithçka mirë duke kaluar dy lojtarë kundërshtarë, por goditja e tij shkoi jashtë porte.

Por nuk vonoi dhe Dukagjini mori epërsinë në minutën e 30-të.

Goli i epërsisë për skuadrën klinase erdhi nga Bujar Shabani, i cili gjuajti nga një distancë prej 20 metrash.

Në minutën e 40-të Dukagjini ka kërkuar penallti pas një prekje të topin me dorë në zonë, por gjyqtari nuk mendoi ashtu.

Pak pa u mbyllur pjesa e parë, mysafirët shënuan me Jesus Pozo, i cili ishte më i gjati në zonë për të shënuar me kokë për 1-1.

Pjesën e dytë mysafirët e nisën më mirë duke rrezikuar që në start, por goditja nga afër e Ruiz përfundoi mbi portë.

Dukagjini kishte rast të mirë edhe me Dren Fekën, por goditja e tij u bllokua.

Disa çaste më vonë provoi edhe Ahmed Januzi nga distanca, por gjuajtja e tij u ndal nga portieri Marcos Zappacosta.

Në minutën e pestë të kohës shtesë, kur ndeshja pritej të mbyllej në barazim në skenë doli Eljasa Zylfiu që shënoi për 2-1 pas një devijimi të mbrojtjes.

Dukagjini merr një fitore të rëndësishme para ndeshjes kthyese që zhvillohet pas një jave.

/Shqip.com