Sport Shqiptar

Duka: Shqipëria ka përfituar shumë nga ky organizim

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka folur për organizimin e finales së Conference League në Tiranë.

Duka vlerësoi organizimin perfekt të finales dhe theksoi se kjo ishte një reklamë e jashtëzakonshme për Shqipërinë, jo vetëm në aspektin futbollistik.

“Kjo finale na ka mbushur me më shumë eksperiencë. Padyshim që nëse do bëjmë një tjetër, do e bëjmë më mirë dhe një të tretë apo një të dhjetë akoma më mirë. Ne nuk e kishim këtë eksperincë, ndaj në çdo proces kishim frikën apo kujdesin e duhur”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se Shqipëria ka përfituar shumë nga ky organizim.

“Nëse në Shqipëri kanë qenë prezent 510 gazetarë të huaj, nëse ndeshja është transmetuar në 155 vende të botës dhe është ndjekur nga 400 milionë shikues në television dhe gjatë gjithë këtij transmetimi, nuk ka pasur asnjë lajm negativ apo incident dhe të gjithë kanë dalë të mrekulluar nga atmosfera e stadiumit, nga vetë stadiumi që është një projekt fantastik, shumica e tyre e kanë quajtur, siç edhe ne e kemi menduar “xhevahir”, unë nuk mendoj se mund të kishte promocion më të mirë për futbollin shqiptar dhe vendin”.

Roma mposhti Feyenoordin në finale me rezultat minimal 1:0./Shqip.com