Sport Shqiptar

Duka mesazh ngushëllimi për Dwamena: Jam i shokuar, humbëm futbollistin më të fortë të kampionatit

Presidenti i FSHF, Armand Duka ka ngushëlluar ndarjen nga jeta të sulmuesit të Egnatias, Raphael Dwamena, pasi zemra e tij pushoi së rrahuri në fushën e blertë përballë Partizanit.

Duka shprehet i shokuar nga ngjarja, ndërsa shton se Dwamena ishte një lojtar i fortë dhe me statistikat më të mira futbollistike si golashënues i kampionatit Abissnet Superiore.

“Jam thellësisht i shokuar e i tronditur për ndarjen e parakohshme nga jeta të lojtarit të Egnatias, Raphael Dwamena. Një lojtar i fortë, me shpirt gare, një futbollist që edhe në statistikat e FSHF dhe të Superiores, kishte rekordin më të mirë të golave.

Dwamena tregonte disiplinë e karakter dhe një futbollist që kishte komunikim të jashtëzakonshëm me shokët e ekipit, por edhe jashtë tij.

Në emër të FSHF i shpreh ngushëllimet e mia familjarëve të futbollistit dhe vetë ekipit të Egnatias ku ai kontribuoi dhe shkëlqeu në këtë karrierë të tillë futbollistike. Rest in peace Raphael Dwamena”, shkruan Duka.

Raphael Dwamena u nda nga jeta mesditën e sotme teksa luhej minuta e 25 e sfidës Egnatia-Partizani në stadiumin Dem Rozi të Rrogozhinës.

Ai humbi ndjenjat në fushë ndërsa ndërhyrja e mjekëve të të dy ekipeve nuk dha rezultat për mbajtjen e tij në jetë.

/Shqip.com