Dugolli e quan skandal blerjen e armës nga Abelard Tahiri

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka thënë se blerja e armëve si e Abelard Tahiri sa ishte shef i kabinetit në Qeverinë Thaçi është e paligjshme, e papranueshme dhe e dyshimtë.
Sipas Dugollit pajisja me këtë lloj të armëve është skandal dhe e njëjta mund të bëhet vetëm për operacione speciale, të karakterit sekret dhe të shërbimeve sekrete.
“Blerja e armëve dhe shurdhuesve për kabinetin Thaçi, është më shumë se skandal, është super skandal. Një gjë është e ditur; në aspektin operativ, blerje të tilla bëhen për operacione speciale, tepër të veçanta, të karakterit sekret dhe të shërbimeve sekrete, prandaj le të na tregojnë opozita se për çfarë operacionesh sekrete dhe për cilin shërbim sekret kanë punuar Abelardi dhe stafi i kabinetit Thaqi?”, ka shkruar Dugolli.
Ai gjithashtu ka kërkuar që të di rrethanat se çfarë e kishte shtyrë Tahiri për të bërë veprimet e tilla.
“Pra cilat kanë qenë ato rrethana dhe misione që i kanë shtyrë ata në veprime të tilla, kur dihet se për armatimin e truprojave dhe njësisë së mbrojtjes së afërt, të gjitha planifikimet dhe blerjet i bënë Policia e Kosovës. Blerje të tilla të armëve dhe pajisjeve speciale shurdhes-ngulfatesh tytash, janë të paligjshme, të papranueshme dhe të dyshimta”, ka shkruar Dugolli
Shqip.com javë më parë ka raportuar se si Tahiri me para të shtetit kishte blerë armë të personalizuar, në vitin 2011.
I kontaktuar nga Shqip.com Tahiri pati deklaruar se “Ajo armë është përdorë prej meje gjatë kohës sa kam qenë shef i kabinetit dhe në momentin kur jon dorëzuar pajisjet që janë përdorë, ai është një aset i zyrës së kryeministri është kthy në zyrën e kryeministrit dhe vazhdon me u përdorë nga zyrtarët e zyrës së kryeministrit”.
Përveç Tahirit, me armë rezultoi të jenë pajisur i gjithë stafi i kabinetit.
Madje, ish- kryeministri Thaçi kishte furnizuar kabinetin edhe me 20 mijë fishekë dhe 5 shurdhues.
Furnizimin e kabinetit, ai e kishte bërë në shkurt të vitit 2011, me të marrë mandatin e dytë si kryeministër.
Në dokumente figuron edhe ish-shefi i stafit Bekim Çollaku dhe Isni Thaçi.
Tahiri, nuk e kishte dorëzuar armën e zjarrit të personalizuar me të përfunduar mandatin më 2014, ashtu siç deklaroi.
Ai rezulton të ketë qenë i pajisur me armë edhe 7 vjet të tjera, pas përfundimit të detyrës qeveritare, përkundër se ishte aset i Zyrës së kryeministrit.
Edhe zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu ka reaguar pasi që Abelard Tahiri nuk e kishte kthyer më kohë armën e personalizuar.
Sallahu këtë veprim të Tahirit e ka quajtur të turpshëm.
“Armë me emër personal (pa ë) të gravuar në të, 20.000 fishekë, me pare të shtetit. Sot u kuptua që Tahiri as nuk e paska kthyer armën deri para 8 muajsh, përkundër që ka qenë i obliguar ta bëjë shumë më herët. Turp!”, ka shkruar Sallahu.
Gjithashtu edhe Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sali Zyba, ka kërkuar hetim nga prokuroria për shefin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, i cili kishte mbajtur armen e personalizuar edhe shtatëve pas përfundimit të mandatit si shef i kabinetit të Qeverisë Thaçi.
“Dje doli lajmi se ai e kishte mbajtur këtë armë edhe për shtatë vjet tjera pas përfundimit të mandatit. A ka ndonjë veprim nga prokuroria?”, ka deklaruar Zyba./Shqip.com