Sport Shqiptar

Dueli miqësor ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, “testi i vërtetë për Griesse”

Kombëtarja e Kosovës të martën do të ketë përballë sfidën e parë “të vërtetë” nën drejtimin e Alain Griesse.

Pas fitores së thellë në “Fadil Vokrri”, pengesa e radhës e “Dardanëve” do të jetë Zvicra.

Giresse do të kërkojë të vazhdojë me fitore pas një debutimi “ëndrrash”, kundër Burkina Fasos.

Kjo ndeshje për Kosovën do të jetë e rëndësishme, jo vetëm në aspektin profesional, por edhe emocional.

Për ndeshjen me Zvicrën, si dhe rëndësinë e saj, Shqip.com ka kontaktuar me analistët, Bylbyl Sokolin dhe Taulant Dajakun.

Të dy analistët kanë deklaruar se përballja me “Helvetikët” do të jetë më e vështirë se ndeshja me Burkina Fason.

Sokoli thotë se Kosova duhet të kërkojë një fitore ose barazim.

“Kosova do të paraqitet me lojë cilësore dhe do të jetë “arë” e fortë për Zvicrën. Fitorja dhe barazimi do të ishin rezultate pozitiv për përfaqësuesen tonë”, tha Sokoli.

Bylbyl Sokoli

Ndërsa, sipas Dajakut pas kësaj ndeshje objektivat e Kosovës me trajnerin e ri do të jenë më të qarta.

“Mendoj se sonte është një test i vërtetë, pasi ndeshja e parë me Burkina Fason dhe rezultati i arritur mund të na mashtroj. Do të jetë një ndeshje e vështirë për faktin se përball kemi një përfaqësuese interesante, që ka shume kualitet dhe besoj sa pas kësaj ndeshje ne mund dhe duhet te kemi një përcaktim të atyre që quhen objektiva fillestar, që duhen të deklarohen nga trajneri sepse jemi ne prag te Ligës se Kombeve”.

Taulant Dajaku

Përveç në fushë, kjo ndeshje do të ketë edhe një domethënie të veçantë jashtë saj.

“Kjo nuk duhet te jetë ndeshje e veçantë ne aspektin Sportiv, por, pasi ne tribuna do të ketë shumë tifoz Shqiptar nga Kosova dhe në përbërje të ekipit të Zvicrës ka po ashtu Shqiptar, atëherë të dukshme janë emocionet shtesë”, tha Sokoli.

Nga ana tjetër, Dajaku vlerëson se përballja do të jetë e mbushur me emocione.

“Mendoj se do jetë një ndjesi e veçante dhe sigurisht kujtojmë ndjenjën e krenarisë që lojtarët e Zvicrës na kanë dhuruar në situata specifike, si momentet e ndeshjes Zvicër – Serbi, golat e festuar me krenari nga dyshja shqiptare e Zvicrës. Kjo tregon mjaftueshëm për ato emocione speciale për te cilat folën dhe vet Xhaka e Shaqiri. Prandaj besoj se do jetë një ndeshje me plot emocione dhe sigurisht e veçantë edhe për komunitetin shqiptar që jeton në Zvicër”.

Ky do të jetë takimi i parë ndërmjet këtyre dy skuadrave dhe ndeshje fillon në ora 18:00./Shqip.com