Lajme

Duda Balje: Provokimet janë frymëzim, krenare me Policinë e Kosovës

Deputetja e Kuvendit të Kosovës - Duda Balje

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje, është shprehur krenare me Policinë e Kosovës që sipas saj, nuk po bien pre e provokimeve të serbëve, njofton Shqip.com.

Derisa ka shpërndarë në llogarinë e saj në Facebook pamje të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga pikat kufitare në veri, i reagoi provokatorëve serbë që po fyenin policinë e zjarrëfikësit e Kosovës.

“Me policinë/ milicin, Me snajepr, Me njesitë speciale, Me Rambo, Por pa tabela!”, shkroi Balje në Facebook.

“Provokimet e tuaja për neve janë frymëzim! Krenare në çdo hap me policinë tonë!”, shtoi ajo.

Të hënën e 20 shtatorit, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që shoferët nga Serbia, me të hyrë në Kosovë, t’i ndërrojnë ose mbulojnë targat e tyre dhe të marrin regjistrim të përkohshëm të Kosovës.

Me këtë vendim, ekzekutivi ka thënë se ka vendosur masën e reciprocitetit për targat e Serbisë, pasi të njëjtën Serbia e ka aplikuar për veturat nga Kosova për më shumë se dhjetë vjet.

Jarinja dhe Bërnjaku, dy vendkalimet kufitare në veri të Kosovës – ku popullsia është shumicë serbe – janë bllokuar nga banorët lokalë që e kundërshtojnë vendimin për reciprocitet.

Atje janë vendosur njësitë speciale të Policisë së Kosovës për të shmangur çdo incident eventual që mund të ndodhë si pasojë e mosrespektimit të kësaj mase. /Shqip.com