Sport Ndërkombëtar

Dubois kërcënon hapur kampionin Usyk

Më 26 gusht, në Krakovë të Polonisë do të zhvillohet dueli i peshës së rëndë në boks mes ukrainasit Oleksandr Usyk dhe britanikut Daniel Dubois. Usyk, i pamposhtur në karrierën e tij (20 fitore dhe 0 humbje) do të mbrojë titujt kampionë bote (WBA, WBO, IBF) ndaj sfidantit britanik, në një duel ku padyshim ai është favorit.

Gjithsesi, Dubois (19 fitore e 1 humbje), 11 vjet më i ri se ukrainasi, beson se do ta hedhë në tapet ukrainasin dhe do t’ia marrë titujt.

“Dua të trondit botën në atë përballje. Unë dua ta nxjerr jashtë dhe t’i jap fund mbretërimit të Usyk. Duhet të jesh i çmendur atje që ta realizosh këtë gjë dhe unë jam i tillë”, u shpreh Dubois.

Më tej, britaniku tha: “Duhet të luftosh si një njeri i pushtuar për ta mposhtur atë. Do të jetë një fitore me nokaut dhe ai do të zbresë nga froni. Nuk më tremb as ai dhe asnjë tjetër. Po stërvitem dhe do të jem gati më 26 gusht, pavarësisht se do të kem një stadium të tërë kundër. Në ring mbyll veshët dhe përpara kam vetëm një rival”.

/Shqip.com