Sport Shqiptar

Drita prezanton përforcimin e bujshëm

Drita nuk ia doli të fitonte garën me Ballkanin dhe u “mjaftua” me vendin e dytë. Skuadra nga Gjilani pret shortin për të mësuar rivalët në raundin e parë të Conference League.

Ndërkohë, drejtuesit e saj kanë zyrtarizuar sot afrimin e parë. Drita ka prezantuar Astrit Thaqin, i cili vjen nga kampionët e Ballkanit.

30-vjeçari është një “xhoker”, pasi mbulon disa pozicione në fushën e blertë. Ai aktivizohet si qendërmbrojtës, mbrojtës i majtë, ndërkohë që mund të bëjë edhe “shkatërruesin”.

Thaqi ka firmosur një kontratë 2-vjeçare me “Intelektualët”, të cilët synojnë të rikthehen te titulli kampion sezonin e ardhshëm.

“ASTRIT THAQI VISHET BARDH E KALTËR

Kemi kënaqësinë të ju njoftojmë që kemi arritur marrëveshje me mbrojtësin Astrit Thaqi.

Sot në ambientet e klubit, Thaqi është pritur nga drejtori sportiv i klubit z. Valon Zymberi i cili i ka uruar mirëseardhje në familjen bardh e kaltër dhe ku kanë nënshkruar kontratë dyvjeçare me klubin.

Thaqi ka përvojë të gjatë në Superligë si dhe në arenën ndërkombëtare.

Astriti është paraqitur për shumë skuadra kosovare dhe së fundmi ishte pjesë e KF Ballkani. Mirë se vjen Astrit”, lexohet në njoftimin e Dritës.

/Shqip.com