Sport Shqiptar Rron Broja – optimist se rrugëtimi i Dritës në Evropë do jetë i gjatë

Drita nuk dëshiron të ndalet as në raundin e dytë – të Europa Conference League

FC Drita

Tre gola të shënuar, asnjë i pësuar – ishte skenari i ndeshjes së mbrëmshme – të FC Dritës kundër Inter Turku.

Skuadra nga Gjilani e ka siguruar kualifikimin në raundin e dytë të Europa Conference League, teksa për Shqip.com ka folur “motorri” i mesfushës – i quajtur Rron Broja.

Broja – bëri të ditur se “motivi në ekip është shumë i madh, ndërsa na ndihmoi shumë edhe atmosfera e krijuar në stadiumin Fadil Vokrri”.

Shtatgjati – beson se Drita mund të shkojë shumë larg në këtë gara, sepse siç thotë ai “kemi shumë cilësi në ekip”.

Së fundmi, në mesfushë – atij i është shtuar edhe Blendi Baftiu, me të cilin tha se “është shumë e lehtë të përshtatesh, është futbollist tekinik që e bën diferencën në fushën e gjelbër”.

26 vjeçari – po ashtu është i bindur se përveç garave evropiane – gjilanasit do luftojnë edhe për titullin e kampionit – sezonin e ri.

“Gjithmonë synim i Dritës është titulli kampion, do jetë e vështirë, por me shumë punë shpresojmë që do të rrimë atje”.

Sa do zgjasë rrugëtimi i Dritës? Cilat janë pikat e forta të skuadrës? Flasin njohësit e futbollit.

“Pika e fortë e Dritës është ndjesia që të dhuron fanella” – potencoi me bindje, analisti Taulant Dajaku.

Ndërsa, trajneri, Faruk Statovci insiston që “Drita e ka bërë merkaton më të mirë në Kosovë deri më tani dhe kjo po shihet edhe në lojë. Besnik Krasniqi ka përvojë, Blendi Baftiu dhe Kastriot Selmani janë talenta të mëdhenj”.

Një pikë që e ka ndihmuar ekipin nga Anamorava për të korrur sukses – është edhe përvoja në garat evropiane – sipas Dajakut.

“Tradita e krijuar në garat evropiane, vlerat sportive të ndërtuara ndër vite janë pika kyçe. Në ndeshjen e mbrëmshme – ky ekip ka treguar personalitet, vendosmëri dhe në fund rezultat” – tha ai.

Por, Statovcin e shqetëson një fakt: ndeshjet si mysafirë.

“Të gjitha skuadrat kosovare po paraqiten dobët si mysafirë. Drita, ndoshta nuk luajti shumë dobët në lojën e parë, ama duhet bërë kujdes i madhe – sepse tashmë kundërshtarët do jenë edhe më të fortë”.

I njëjti po ashtu paralajmëron – se raundi i radhës do jetë i vështirë.

“Dëshira jonë është që rrugëtimi i Dritës të jetë sa më i gjatë” – u shpreh Statovci.

“Por, duke i parë kundërshtarët e radhës do të jetë shumë e vështirë” shtoi ai.

Ngjashëm me të mendon edhe Dajaku.

“Raundi tjetër do jetë i vështirë, por na lejohet të ëndërrojmë. Në rast të ndonjë magjike – do ishte diçka e jashtëzakonshme për futbollin kosovar”.

Në raundin tjetër kualifikues, Drita do të takohet me skuadrën belge Antwerp, ndërsa data ende nuk është zyrtare.

Ky është viti i tretë radhazi – që “intelektualët” po marrin pjesë në garat evropiane.