Lajme

Drejtoria e Inspekcionit në Prishtinë në aksion, liron disa hapësira në disa rrugë të Prishtinës

Drejtoria e Inspkecionit në Komunën e Prishtinës ka realizuar një aksion gjatë ditës së sotme në disa prej rrugëve të Prishtinës.

Sipas njoftimit nga kjo drejtori është bërë lirimi i hapsirave në rrugën “Bajram Bahtiri”, më saktësisht afër shkollës Nazim Gafurri dhe Qendrës Komunale të Mjekësisë Familjare.

“Sot Drejtoria e Inspekcionit me mbështetje edhe të “Hortikulturës” dhe “NPB” ka filluar aksionin për lirimin e rrugës, trotuareve dhe hapësirave të tjera në një pjesë të Rrugës Bajram Bahtiri, konkretisht ne zonën afër Shkollës Nazim Gafurri dhe Qendrës Komunale të Mjekësisë Familjare”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë.

Sipas njoftimit, deri vonë këto hapësira janë keq shfrytëzuar kryesisht nga shitësit e drunjëve duke bllokuar me mjetet e tyre rrugën dhe trotuaret gjë që ka vështirësuar jashtë mase qarkullimin e këmbësorëve por edhe trafikut në këtë rrugë.

Me këtë rast, shitësit e lëndëve djegëse njoftohen se nuk do të lejohet asnjë më tutje të qëndrojnë në ato hapësira përreth shkollës dhe QKMF-së dhe se të njëjtit veprimtarinë e tyre duhet ta vazhdojnë në lokacionin e përzgjedhur dhe të caktuar si “Treg i drunjëve”  nga Komuna e Prishtinës për çfarë do të njoftohen shumë shpejtë, thuhet më tutje në njoftimin e Drejtorisë së Inspekcionit në Komunën e Prishtinës./Shqip.com