Lajme

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë e sheh të nevojshëm Vetingun

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, thotë se procesi i Vetingut në sistemin e sigurisë, duke përfshirë edhe Policinë e Kosovës, është i nevojshëm, transmeton Shqip.com.

Sipas Mehmetit, kjo do të ndikonte në rritjen e besueshëmrisë së qytetarëve ndaj këtyre institucioneve.

“Një Veting në përgjithësi, i cili do ta ngriste të themi besueshmërinë te qytetarët, i cili do të ngriste legjitimitetin e institucionit te qytetari, për ne absolutisht është i mirëseardhur”, ka thënë Mehmeti për “Betimi për Drejtësi”.

Ai shtoi se si institucion që gjatë gjithë kohës se punës edhe gjatë rekrutimit edhe gjatë fazave të ndryshme policët kalojnë në njëfarë kontrolli, qoftë nga inspektorati policor qoftë nga drejtoria e standardeve profesionale por, vetingu do të ndikonte që individë nuk duhet me qenë ose jo pjesë e policisë.

Mehmeti thotë se si institucion nuk do të kishte rëndësi se me çfarë modaliteti do përdoret për çështjen e vetingut.

‘‘Mund të përdoren modalitete të ndryshme të cilat eventualisht kanë dhanë rezultate qoftë në vende tjera, qoftë janë praktikat të cilat mund të jenë praktika ma të mira natyrisht, duke pas gjithmonë parasysh edhe specifikat qofte te vendit qofte të organizatës policore’’, është shprehur Mehmeti.

Ndër të tjera në këtë intervistë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë në vend ka folur edhe rreth zgjedhjes së tij në këtë institucion, rreth ndërrimit të drejtorëve në njësi të ndryshme dhe shuarjen e task-forcës kundër korrupsion. /Shqip.com