Lajme

Drejtori i KEK-ut: Ekspertit gjerman pritet t’i shtohen edhe dy-tre ekspertë tjerë

Drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi

Drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi ka thënë se blloku “B2”, pritet të rikthehet në punë më 20 janar.

Krasniqi tha se po bëjnë më të mirën që kjo njësi të kthehet në funksion para datës së caktuar.

“Ne kemi dhënë një datë, e cila presim që duhet të jetë datë e rikthimit të bllokut B2 në punë, ajo është 20 janari. Kjo nuk do të thotë se ne do të ngelemi në datën 20, pasi në vazhdimësi jemi duke u munduar që sa më herët ta kthejmë në funksion këtë njësi”.

Më tej ai ka shprehë një shqetësim në lidhje me ardhjen e ekspertëve nga kompania “General Electric”, pasi në kohë festash, sipas tij, nuk është lehtë të sigurohen ekspertët të cilët janë në numër të vogël.

“Mirëpo, duhet të dimë që nuk varet gjithmonë nga ne pasi është periudha e festave dhe ka ekspertë që duhet të vijnë nga ‘General Electric’, të cilët në këtë kohë festash nuk është lehtë t’i sjellësh sepse edhe ata si ekspertë janë në numër të vogël”, tha Krasniqi në “Info Magazine”.

Ilustrim

Ndër tjerash, drejtori i KEK-ut, deklaroi se ekspertit gjerman pritet që t’i bashkangjiten edhe dy ose tre ekspertë të tjerë për të sanuar problemin e turbinave dhe rotorit të bllokut “B2”.

“Ne zakonisht nuk punojmë me individ, kompania “General Electronic” që është kontraktuar është prodhuese e turbinës dhe rotorit dhe është kompani që kemi vazhdimisht kontakt me ta për prishjet që bëhen tek ne. Nuk është vetëm një ekspert gjatë kohës do të vijnë edhe dy-tre të tjerë”, ka thënë Krasniqi.

Angazhimin e ekspertit gjerman, drejtori i KEK-ut e arsyetoj me mungesë të ekspertëve vendor në fushën e sanimit të turbinave dhe rotorëve.

“Askush nuk ka ekspertë të prodhimit të turbinave, edhe në botë ka pak kompani që prodhojnë turbina dhe rotorë. Kosova ka ekspertë të mirë për mirëmbajtje të termocentraleve, por jo ekspertë të turbinave dhe rotorëve”, tha Krasniqi./Shqip.com