Lajme

Drejtori i Infektivës: Masat rigoroze janë të domosdoshme për parandalimin dhe kontrollimin e COVID-19

Infektologu, Arben Vishaj.

Arben Vishaj, drejtor i Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka deklaruar se masat rigoroze janë të domosdoshme për të parandaluar dhe kontrolluar infeksionin e COVID-19, përcjell Shqip.com.

Vishaj shton se doza e tretë e vaksinës kundër COVID-19 duhet të merret, për shkak të rrezikut të infektimit, duke shtuar se varësisht nga situata epidemiologjike mund të merret vendim edhe për dozën e katërt.

“Masat rigoroze i rekomandon paneli i ekspertëve të ministrisë së Shëndetësisë. Ato masa janë të domosdoshme me qëllim të parandalimit dhe të kontrollit të infeksioneve dhe në përgjithësi të parandalimit të Covidit. Këto masa e kanë qëllimin e vetëm shpëtimin e jetës dhe ruajtjen e shëndetit  të popullit tonë”.

“Ne duhet t’i aprovojmë rekomandimet që vijnë nga institucionet tona. Doza e tretë përforcuese duhet të merret. Kurse sa i përket dozës së katërt varësisht nga situata epidemiologjike  është paneli që merret me vaksinimin e merr vendimin e vet”, tha ai për EO.

Sipas tij, personat që kanë pasur sëmundje shoqëruese si hipertensioni por edhe sëmundja e zemrës, pas kalimit të infektimit me Coronavirus kanë manifestuar formë të rëndë për disa muaj të tërë.

“Mirëpo kemi pacientë që kanë pasur sëmundje bashkëshoqëruese siç është hipertensioni, sëmundja e zemrës të cilët edhe pas kalimit me Covid kanë manifestuar formë të rëndë me javë e muaj. Ky virus mund të zgjasë në një periudhë të caktuar.

Sido që të jetë ne duhet të përgatitemi dhe të qëndrojmë në ofrimin e shërbimeve shëndetësore të pacientëve tanë”, shtoi ai.

Tutje ai ka bërë thirrje edhe për vaksinimin e grave shtatzëna, duke thënë se kur një grua është në muajt e avancuar të shtatzënisë mund t’i përkeqësohet gjendja dhe rekomandohet vaksinimi i menjëhershëm.

“Sa i përket planit të vaksinimit është qendra kombëtare dhe ne i rekomandojmë vaksinimin e grave dhe mendojmë që vaksinimi i grave shtatzëna është i domosdoshëm dhe i rëndësishëm sepse kur kemi të bëjmë me një grua që është në muajt e avancuar të shtatzënisë ajo ashtu kështu ka vështirësi në frymëmarrje dhe nëse kemi prekje të lehtë mushkërore mundësia e përkeqësimit të gjendjes është shumë e madhe.

Andaj rekomandojmë që gratë shtatzëna të vaksinohen”, shtoi ai./SHQIP.com