Lajme

Drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil mohon që është kërkuar shkarkimi i tij

Drejtori i përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC), Bujar Ejupi

Në media është duke u shkruar se tre nga anëtarët e bordit të Autoritetit të Aviacionit Civil kanë kërkuar shkarkim e drejtorit të përgjithshëm të këtij autoriteti.

Një gjë e tillë është mohuar nga vet drejtori, Bujar Ejupi për SHQIP.com, i cili ka thënë se për një vendim të tillë nuk është informuar.

“E kam dëgjuar lajmin e kam telefonuar edhe kryesuesin e Bordit për shkak se unë nuk kam njohuri për një vendim të tillë. Vetë kryesuesi ma konfirmojë se as ai nuk ka njohur për një gjë të tillë, nuk ka ardh një vendim. Ose është rrenë ose nuk po e di çka mundet më qenë”.

Ai tha se nuk ka kontaktuar me asnjërin nga këta anëtarë.

“Është kryesuesi i Bordit për këtë gjë dhe personalisht nuk kontaktojë me asnjërin nga ta për shkak të profesionalizmit”.

Ejupi ka thënë se është duke pritur vendimin nëse veç ka një të tillë.

Ndryshe tre nga anëtarët e AAC- së, kanë kërkuar shkarkimin e drejtorit, të këtij autoriteti, Bujar Ejupi.

Këtë letër ata ia kanë drejtuar Qeverisë, Kuvendit si dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), me pretendimet për një mori shkeljesh, përfshirë pamundësimin e mbikëqyrjes së AAC-së nga ky bord.

Një lajm i tillë është bërë i dituar edhe nga Sindikata e këtij autoriteti./SHQIP.com