Drejtori i Arsimit jep detaje rreth gjendjes shëndetësore të nxënësit që kërceu nga kati i dytë i shkollës
Drejtori i Arsimit në Pejë, Naser Gega ka thënë se nxënësi që kishte rënë nga kati i dytë i shkollës “Asdreni”, është jashtë rrezikut për jetë.
Sipas tij, me rastin janë marrë zyrtarët e Inspektoratit të Arsimit për të hetuar rrethanat që kanë çuar deri tek ngjarja.
“E rëndësishme është që më është thënë se nxënësi është jashtë rrezikut për jetë. Le të kthehet ai më pas shohim”, deklaroi Gega për RTV Dukagjinin.

Ndër tjerash, Drejtori i Arsimit në Pejë ka thënë se zyrtarë të shkollës janë marrë në polici për deklaratë dhe do të dihet më saktë si ka ndodhur ngjarja.
Në anën tjetër, mjeku kujdestar, Avdush Bajgora ka thënë se nxënësi është sjellë në Qendrën Klinike Universitare në gjendje të rëndë.
“Pas ekzaminimeve është konstatuar se ai ka fraktura të shumta”, ka deklaruar Bajgora.
Theksojmë se më 11 janar rreth orës 12:10, një nxënës kishte rënë nga kati i dytë i shkollës duke pësuar kështu lëndime trupore.
Lajmin për Shqip.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Driton Rugova.
Ai bëri të ditur se fëmija është dërguar me autoambulancë në Spitalin Rajonal në Pejë dhe për shkak të lëndimeve të rënda, është sjellë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
“Sot rreth orës 12:10, Policia është informuar se një fëmijë ( nxënes) ka rënë nga kati i dytë i shkollës, Policia menjëherë ka dalë ne vendngjarje, fëmija është dërguar me autoambulancë në Spitalin Rajonal në Pejë, dhe nga aty për shkak të natyrës së lëndimeve është dërguar në QKUK-Prishtinë”, deklaroi Rugova./Shqip.com