Lajme

“Drejtësi për Marigona Osmanin” / Nesër protestohet kundër vendimit për kthimin në rigjykim të rastit

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka bërë thirrje që nesër (e mërkure) të protestohet kundër vendimit të Apelit për kthimin në rigjykim të rastit të vrasjes së Marigona Osmanit.

Protesta do të nis në ora 12:00 te Pallati i Drejtësisë.

“Është shqetësuese se si Gjykata e Apelit asnjëherë nuk e adreson qasjen problematike të Gjykatës Themelore në trajtimin dhe vlerësimin e dhunimit si vepër penale. Dhunimi seksual është detyrimi në kryerjen e aktit seksual pa dhënien e pëlqimit. Mirëpo Gjykata Themelore nuk e ka të qartë se çka do të thotë kjo, dhe gabimisht nxjerrë konkluzione duke u mbështetur vetëm në provat e lëndimit fizik gjenital. Prezenca e lëndimeve fizike nuk është vendimtare për përcaktimin e dhunimit. Prokuroria ka parashtruar si provë video inçizimet, dëshminë e dhënë nga eksperti mjeko-ligjor si dhe provat për kanosjen dhe dhunën ekstreme që tregojnë se Marigona nuk ka qenë në gjendje të japë pëlqim për aktin seksual. Gjykata Themelore tërësisht e ka injoruar video-inçizimin dhe dëshminë e ekspertit mjeko-ligjor, që dëshmon mungesën e pëlqimit si element esencial i veprës penale të dhunimit, si dhe rrethanat e dhunshme dhe frikshme në të cilat ndodh ajo.

Nga ana tjetër, gabimet dhe lëshimet e njëpasnjëshme nga Gjykatat Themelore, të cekura nga Apeli, pasqyrojnë neglizhencën e grave nga sistemi, çka është duke i bërë këto raste barrë të familjeve të viktimave dhe të të mbijetuarave”, thuhet mes tjerash në njoftim.

/Shqip.com