Lajme

“Drejtësi për Jonadën”, qytetarët dalin sërish në protestë

Ashtu siç edhe ishte paralajmëruar mbrëmjen e së enjtes, qytetarët janë mbledhur sërish para Ministrisë së Drejtësisë, për të protestuar pas ngjarjes së rëndë të javës së shkuar ku në plazhin e Potamit në Himarë u vra 7-vjeçarja Jonada Avdi.

Qytetarët i vendosën afat kryeministrit që deri ditën e sotme të largonte nga detyra Ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi, Ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Gledis Nano, raporton Abcneës.

Sipas qytetarëve kryeministri Rama në vend të propagandës për turizmin, duhet të shkarkojë menjëherë drejtuesit e institucioneve përgjegjëse, ata që nuk arritën dot të mbronin jetën e Jonadës 7-vjeçare.

Policia e ka referuar ngjarjen në Prokurori si vrasje nga pakujdesia, por Prokuroria e rëndoi më tej akuzën, duke e cilësuar vrasje me dashje.

Ashpërsimi i akuzës së ngritur ndaj ish-shefit të policisë, vjen pas verifikimit të pamjeve filmike në vendngjarje dhe dëshmive të pushuesve.

Grupi hetimor ka konkluduar se Arjan Tase ka patur mundësi për të parandaluar aksidentin fatal në një zonë të dedikuar për pushuesit.

Referuar kodit penal me akuzën që pritet të përballet në Gjykatën e Vlorës, ish-efektivi rrezikon dënimin nga 10 deri në 20 vite burg./Shqip.com