Lajme

Dosja e inceneratorëve, ish-ministri Damian Gjiknuri pyetet për 6 orë në SPAK

Ish-ministri i Infrastrukturës dhe Energjitikës, Damian Gjiknuri është paraqitur në orën 09:00 të mëngjesit të sotëm në SPAK ku u mor në pyetje për më shumë se 6 orë, duke dalë nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme rreth orës 15:40.

Para gazetarëve deputeti nuk preferoi të zbulonte shumë informacione duke deklaruar se bëhej fjalë për sekret hetimor por u shpreh se ishte diçka normale që të jepte shpjegime lidhur me gjëra që i kishte mësuar gjatë ushtrimit të detyrës.

“Është gjëja më normale të vish të japësh shpjegime për ushtrimin e detyrës. Është sekret hetimor”– tha Gjiknuri.

Pyetje: Për Mc Gonigal apo inceneratorët?

Gjiknuri: Mund të jenë edhe çështje të tjera…

Burimet bëjnë me dije se Gjiknuri është thirrur për të dhënë sqarime në lidhje me hetimet për inceneratorët ku është përfshirë ish zv/kryeministri Arben Ahmetaj.

Më 22 shkurt 2022 në komisionin hetimor për inceneratorët Gjiknuri pranoi se njihte 2 pronarët e inceneratorëve Mirel Mërtirin dhe Klodian Zoton, por se me këtë të fundit tha se është takuar disa herë për shkak të punës. Ndërkohë PD e ka kundërshtuar duke thënë se lidhjet e Gjiknurit me Mërtirin e Zoton janë më shumë.

Ndërsa dokumentet e Prokurorisë së Posaçme mbi hetimin ndaj ish-Zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, zbuluan se ish-Ministri i Energjisë, aktualisht deputet i PS-së, përfitoi, në dy raste, pagesa hotelesh nga biznesmeni Klodian Zoto.

Në dosje rezulton se dhe ish ministri Damian Gjiknuri ka qenë në një hotel me Arben Ahmetaj në Frankfurt të Gjermanisë për të cilin janë paguar 1052 euro, por vetë Gjiknuri ka mohuar më herët të ketë përfituar pagesa hotelesh nga Zoto.

Kjo është hera e dytë që paraqitet në SPAK. Herën e parë ishte në cilësinë e kallëzuesit sot si person që ka dijeni për rrethanat e hetimit.

/Shqip.com