Kulturë

Doruntina Kastrati, përfaqësuese në Bienalen e Venecias 2024

Doruntina Kastrati, përfaqësuese në Bienalen e Venecias 2024
Doruntina Kastrati, përfaqësuese në Bienalen e Venecias 2024

Doruntina Kastrati do të jetë përfaqësuesja e Kosovës në Ekspozitën e 60-të Ndërkombëtare të Artit në Bienalen e Venecias 2024.

Komisioni i jurisë, i përbërë nga kuratorë të njohur, mes të cilëve Zdenka Badovinac, Massimiliano Gioni, Leonie Radine, Adam Szymczyk dhe artisti Alban Muja, ka shqyrtuar tetë aplikimet e dorëzuara në thirrjen e hapur për përfaqësimin e Republikës e Kosovës në Bienalen e Venecias dhe unanimisht ka përzgjedhur artisten Doruntina Kastrati me projektin e titulluar “Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës”, të kuruar nga Erëmirë Krasniqi.

Anëtarët e jurisë u bindën nga projekt-propozimi i fuqishëm, koherent dhe i shtjelluar, i cili më tutje zgjeron hulumtimin artistik i cili ndërlidhet me kushtet e pasigurisë në punë dhe subjektivitetin e punëtorëve në kontekstin sociopolitik dhe ekonomik të Kosovës, rajonit më të gjerë dhe Evropës.

Në projektin e saj për pavijonin e ardhshëm të Kosovës, artistja ka propozuar një instalacion skulpturor.

Pavijoni do të trajtojë punën e grave, pabarazitë në vendin e punës dhe lënia mënjanë që vjen si pasojë. Projekti niset nga konteksti lokal dhe shikon nga afër tranzicionet ekonomike dhe politike dhe se si ato kanë prekur grupet më të cenueshme.

“Jemi të bindur se projekti ka potencial të madh për t’u bërë një hap i rëndësishëm në trajektoren e Pavijonit të Kosovës”, thotë në një komunikatë për mediet Ministria e Kulturës, Rinisë e Sportit të Kosovës.

/Shqip.com