Sport Ndërkombëtar

Donnarumma flet për eliminimin e PSG dhe kualifikimin e Milanit

Pavarësisht se është skuadër e mbushur me yje, PSG është eliminuar sërish në fazë të hershme nga gara më e madhe evropiane për klube, Liga e Kampionëve.

Parisienët janë mposhtur edhe në ndeshjen e dytë nga Bayern Munich me rezultat 2-0, derisa të parën në “Parc de Princes” pësuan 0-1.

Portieri italian i PSG, Gianluigi Donnarumma ka folur pas eliminimit nga Liga e Kampionëve, duke thënë se duhej të bënin më shumë.

“Për fat të keq, Liga e Kampionëve është kështu, në pjesën e parë duhej të bënim më shumë sepse kishim shanset. Më pas për një gabim pësuam gol”.

“Është një zhgënjim i madh, jemi të mërzitur dhe tani duhet të përpiqemi të shohim përpara sepse kemi ende kampionatin, por jemi shumë të zhgënjyer”, tha Donnarumma.

Tutje portieri italian foli edhe për zgjedhjen e tij për t’u transferuar te PSG, teksa ka thënë se nuk pendohet për një gjë të tillë.

“Jam krenar për zgjedhjen time, jam plotësisht brenda këtij klubi dhe nuk ka pasur asnjëherë dyshimin më të vogël, asnjë mendim të dytë”.

Në fund ai foli edhe për kualifikimin e Milanit në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

“Kualifikimi i Milanit është një shenjë e madhe për futbollin italian, jam i lumtur për ish-shokët e mi”, përfundoi portieri italian.

/Shqip.com