Donika Gërvalla infektohet për herë të dytë me COVID-19

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka rezultuar pozitive me COVID-19 për herë të dytë, përcjell Shqip.com.
Këtë e ka bërë të ditur vetë ajo përmes një postimi në Facebook, ku ka kërkuar nga qytetarët që të vaksinohen kundër Coronavirusit.
“Të shtunën kam rezultuar të jem pozitive me Covid-19 dhe kam marrë menjëherë natyrisht të gjitha masat për t’u izoluar menjëherë dhe për të punuar nga shtëpia. Kërkoj falje tek të gjithë ata, takimet me të cilët jemi detyruar t’i anulojmë gjatë ditëve të ardhshme.
Ju lutem, vaksinohuni sa më parë. Vaksinimi është në radhë të parë shprehje e solidaritetit me të moshuarit dhe të sëmurët. Krahasuar me valët e mëparshme të virusit, tek unë duket që vaksinat e marra të kenë ndikuar në përballimin shumë më të lehtë të kësaj vale të virusit”, shkroi ajo.
Ndryshe, pas rritjes së numrit të rasteve me COVID-19, Qeveria të premten ka miratuar masat e reja anti-COVID, sipas të cilave, kufizimi i lëvizjes fillon nga ora 22:00 deri në 05:00.
Ndërkaq, orari i gastronomisë do të jetë nga 05:00 deri më 21:00, teksa për të hyrë në Kosovë kërkohen tri doza vaksinimi, ose dy doza të bashkëngjitur edhe testi PCR negativ jo më i vjetër se deri më 48 orë.
Sipas Qeverisë, këto masa janë të vlefshme deri më 4 shkurt, dhe të njëjtat do të rishikohen në bazë të situatës epidemiologjike./SHQIP.com