Lajme

Doli në media se njësia speciale keqtrajtoi dy të rinj serb – Policia vjen me sqarim

Ilustrim
Ilustrim

Policia e Kosovës ka ardhur me sqarim për publikun lidhur me raportimet e mediave që kryesisht raportohet të jenë serbe lidhur me pretendimet për rrahjen e dy të rinjve serb nga njësia speciale në Leposaviq.

Përmes një reagimi publik, Policia ka njoftuar se në bazë të verifikimeve zyrtare është vërtetuar se asnjë rast i tillë nuk është raportuar në Policinë e Kosovës.

“Policia e Kosovës menjëherë pas publikimit të këtyre informacioneve, me datë 08.03.2023 ka ndërmarrë të gjitha veprimet e menjëhershme konform autorizimeve ligjore, me qëllim të verifikimit dhe trajtimit të informacionit dhe deklarimeve të publikuara, të cilat kanë rezultuar se nuk ka ndonjë rast të raportuar apo evidentuar në institucionet kompetente. Bazuar në informacionet dhe verifikimet zyrtare me të gjitha njësitet policore në terren, përfshirë ato kufitare, është vërtetuar se një rast i tillë nuk është raportuar në Polici të Kosovës, informacion ky i cili iu është kumtuar mediave të interesuara kryesisht serbe”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Këto deklarime dhe publikime në fjalë, Policia thotë se i ka adresuar në Inspektoratin Policor.

“Deklarimet dhe publikimet në fjalë, sipas kompetencës, Policia e Kosovës i ka adresuar te Inspektorati Policor i Kosovës për trajtim dhe kompetencë të mëtejme”.

Tutje, Policia e Kosovës ka ftuar mediat që për informacione zyrtare t’i adresohen organeve kompetente.

/Shqip.com