Lajme

(Dokument) Avokati i mësues: Vendimi i Këshillit Drejtues të shkollës pa bazë ligjore

Grua me shami\ilustrim

Arsimtarja e matematikës në shkollën “Flamuri i Arbërit” në Reshtan të Suharekës, Remzie Lezi është tentuar të përjashtohet nga puna.

Në shkresën e bërë nga Këshilli Drejtues i shkollës thuhet se ky vendim është marrë në mënyrë unanime për shkak të bartjes së shamisë.

“Duke u mbështetur në UA NR 03/2016, neni 3 pika 7, që ndalon bartjen e uniformës fetare, i gjithë Këshilli unanimisht vendosi, që nuk i lejohet arsimtares së matematikës, z. Remzie Lezi të ushtrojë profesionin e mësuesisë në shkollën tonë me uniformë fetare”, thuhet në dokument.

Megjithatë, ky vendim i takon Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Suharekës dhe për këtë avokati i saj, Muhamet Mujaj ka thënë për SHQIP.com se kanë kërkuar anulimin e vendimi.

“Është kërkuar anulimi i vendimit dhe kemi derguar kërkesë për shkak të vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike dhe të shkeljes së dispozitave ligjore dhe kontratës kolektive”.

SHQIP.com ka siguruar edhe kërkesën e drejtuar.

Ndryshe në lidhje më këtë vendim ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, i cili ka thënë se bordi i prindërve nuk është institucion, i cili punëson apo largon një mësimdhënës nga puna.

“Askush mbi ligjin. Bordi i prindërve nuk është institucion, i cili punëson apo largon një mësimdhënës nga puna. Kjo ndodh në organet komunale më një procedurë tash të rregulluar mirë. Në qoftë se ndonjë mësimdhënës ka rast disiplinor, atëherë është Komisioni Disiplinor që e trajton rastin dhe i sugjeron drejtorit, respektivisht mua si kryetar për veprimet institucionale.

Deri në një rast të tillë, të gjithë mësimdhënësit ushtrojnë detyrat e veta konform procedurës së lartpërmendur”.

Tutje Muharremaj tha se për shkak që aktualisht nuk gjendet në Kosovë, në ditën e hënë do ta trajtojë këtë rast me prioritet në përputhje me ligjin dhe me urdhërin administrative të ministrisë së Arsimit.

“Për momentin jam në udhëtim jasht vendit, por që nga dita e hënë do ta trajtoj me prioritet këtë rast, kjo në përputhje me ligjin, me urdhërin administrativ të Ministrisë së arsimit dhe interpretimit të Gjykatës Kushtetuese, dhe kështu do t’i japim fund edhe debatit krejt të panevojshëm për këtë temë

Përndryshe, gjuha linçuese, ofenduese ka vetëm një synim: përçarjen në mes nesh dhe dëmtimin politik të Komunës dhe sukseseve të arritura deri më tani”, shkroi ai./SHQIP.com