Lajme

(Dokument) Rregullimi i shtratit të lumit Lepenc në Kaçanik me ‘projekt’ të viteve të 80-ta

Lumi Lepenc në Kaçanik

Punët për rregullimin e shtratit te lumit Lepenc në Kaçanik, janë zhvilluar pa leje ndërtimore dhe projekt kryesor, por vetëm me një pjesë të një projekti të viteve të 80-ta.

Kështu thuhet në raportin e siguruar nga Shqip.com të Ministrisë së Mjedisit Planifikimit Hapsinor dhe Infrastrukturës, “Raporti i Grupit Punues për shqyrtimin e projekteve kapitale të zbatuara në fushën e ujërave” të hartuar nga kjo ministri me qëllim të verifikimit të investimeve të bëra.

Nga Komuna e Kaçanikut, projekti ishte dorëzuar pa tri fazat fillestare kështu, në raport konsiderohet se punët janë kryer pa projekt.

“Nga Komuna e Kaçanikut, ishte dorëzuar vetëm vëllimi i IV i projektit, projekt ishte i viteve te 80-ta dhe i cili ka përfshirë vetëm pjesën e ndërtimit, ndërsa faza I, II, III e projektit, në shkresat e lëndës nuk ka projekt, dhe konsiderojmë se punët janë zhvilluar pa projekt”, shkruhet në raport.

Dokumenti për rregullimin e shtratit të Lumit Lepenc në Kaçanik

Pas mungesës së projektit kryesor, pranimet teknike ishin realizuar në mungesë të lejes ndërtimore.

“Në bazë të Raportit te pranimit teknik, dëshmohet se pranimi teknik është realizuar ne mungese te lejes ndërtimore. Në shkresat e lëndës nuk ka projekt kryesor, ndërsa në pranimin teknik thuhet se pranimi është bërë në bazë të projektit kryesor”, thuhet në raport.

Ndërsa, kompania e cila ishte kontraktuar për mbikëqyrjen e projektit rezulton të ketë kryer mbikëqyrjen pa i pasur dokumentet ndërtimore të plotësuara.

“Kompania e kontraktuar për mbikëqyrjen e projektit “Alb-Architect nga Prishtina, ka kryer mbikëqyrjen pa pasur dokumentacion ndërtimore te kompletuar, prandaj lind pyetja ne çfarë baze ligjore kjo kompani ka bere mbikëqyrje profesionale te objektit i cili nuk e posedon lejen ndërtimore dhe nuk ka projekt (për tri fazat e projektit)?”, thuhet në këtë raport.

Duke iu referuar raportit të grupit punues te MMPHI ky projekt është njëri ndër projektet që ka rezultuar me probleme./Shqip.com