Lajme

Dokument: Këto janë pretendimet e Prokurorisë për menaxherin e Fer Petrol

Fer Petrol

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në periudhë prej 30 ditësh, për menaxherin e kompanisë Fer Petrol.

J.Gj, dyshohet se gjatë vitit 2021 i ka paraqitur doganës dokument të rrejshëm me qëllim të shmangies nga pagesat e tarifave doganore.

“Ekziston dyshimi i bazuar se në vitin 2021, i pandehuri J.GJ” me qëllim që vetes apo personit tjetër t’i mundësojë shmangien nga pagesa e tarifave tatimore doganore apo tarifave tjera ose detyrimeve doganore që paguhen me rastin e importimit apo eksportimit të mallrave, i paraqet doganës dokument të rrejshëm, dokumentet për lirimin, kinse të lëshuar nga Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Greqisë në Prishtinë dhe kontratat e shitblerjes ndërmjet N. T Fer Petroll me Zyrën Ndërlidhëse të Greqisë në Prishtinë, me çka ka bërë shmangien nga pagesa e tarifave tatimore doganore apo tarifave tjera ose detyrimeve doganore”, thuhet në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë drejtuar Gjykatës Themelore.

Me këtë rast, dyshohet se ka arritur t’u shmanget taksave doganore në vlerë të mbi 60 mijë eurove.

“Ashtu që ka shmangur pagesë për akcizë në vlerë 48 793.3 Euro dhe TVSH në vlerë prej 15 864.3 Euro. – Me këtë ka kryer veprën penale Shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore ose tarifave akcizore nga neni 312, par. 4 të KPRK-së”.

Arrestimi i tij dhe dy menaxherëve të kompanisë HIB Petrol dhe Alfa Petrol, u bë gjatë aksionit të Doganës së Kosovës me 18 mars.

Vërejtje: Të gjithë personat e lartpërmendur si të dyshuar, konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Kosovës./Shqip.com