Kulturë Kino

“DokuFest” bëhet festival nominues për Çmimet e Filmit Evropian

Akademia Evropiane e Filmit, ka përzgjedhur “DokuFestin”, si ndër festivalet nominuese për Çmimet e Filmit Evropian.

“DokuFest”, është përzgjedhur në dy kategori, të filmit të shkurtër dhe të filmit dokumentar.

DokuFest do të nominojë një dokumentar Evropian te një varg nominimesh, ku një komision i anëtarëve të Akademisë dhe ekspertëve të dokumentarit të përzgjedhur nga Bordi i Akademisë do të zgjedhë 12 filma dokumentarë për Çmimin e filmit dokumentar evropian.

Ndërkaq, në fund të këtij procesi, anëtarët e Akademisë do të votojnë për fituesin.

Drejtori artistik i DokuFest, Veton Nurkollari, tha se një arritje e tillë është mjaft e rëndësishme për festivalin.

“Kjo ka një rëndësi të veçantë sepse në një anë do ta rrisë interesimin për DokuFest-in duke sjellur më tepër filmbërës dhe poashtu do ta fus Kosovën më tej në hartën kulturore të Evropës”, u shpreh Nurkollari për Shqip.com.

Ndërkaq, ai po ashtu theksoj bashkëpunimin e vazhdueshëm që DokuFest ka me Akademinë Evropiane të Filmit.

“DokuFest ka një bashkëpunim shumëvjeçarë tanimë me EFA, si në Young Audience ashtu edhe në EFA Shorts programet dhe kjo përbën vazhdimësinë e bashkëpunimit ndërmjet DokuFest dhe EFA”, tha Nurkollari.

Tutje Nukollari, tha se kjo është po ashtu e rëndësishme për promovimin e Kulturës së Kosovës.

DokuFest, është në mesin e 29 festivaleve nga gjithë Evropa.

E. po ashtu këtë vit është një nga 10 festivalet partnere të seksionit Cannes Docs në kuadër të tregut më të madh të filmit në botë gjatë festivalit prestigjioz të Kanës./Shqip.com