Ekonomi

Dogana parandalon futjen ilegale të 35,000 eurove në Vërmicë

Dogana e Kosovës ka njoftuar se më 18 nëntor në pikën kufitare Vërmicë është parandaluar futja ilegale e më shumë se 35 mijë euro në territorin e Kosovës.

Në një postim në Facebook thuhet se është ndalur një veturë dhe drejtuesi i saj  ka mohuar se ka ndonjë gjë për deklarim.

“Gjatë pyetjes zyrtare, drejtuesi i automjetit mohuar se posedon ndonjë gjë për deklarim. Pas kësaj, mjeti është përzgjedhur për një kontroll të detajuar në vijën e dytë të procedurës së kontrollit,” njofton Dogana.

Dogana ka bërë të ditur se 8 mijë euro apo 25% janë konfiskuar, ndërsa pjesa tjetër është ndaluar deri në përmbyllje të procedurave të mëtejshme.

“Si rezultati i kontrollit janë gjetur mjete monetare të padeklaruara në vlerë prej 35.200,00 eurove. Është vërejtur se paratë ishin të fshehura në pjesën e brendshme të xhaketës, të ndara në pesë pjesë. Për të theksuar, pala për mjete monetare nuk ka paraqitur asnjë dokumentacion lidhur me prejardhjen e tyre. Në përputhje me ligjin, është konfiskuar një shumë prej 8.800,00 euro, që përfaqëson 25% të vlerës totale të mjeteve monetare. Pjesa tjetër e mjeteve monetare është ndaluar deri në përmbylljen e procedurave të mëtejshme”, thuhet në njoftim.

/Shqip.com