Lajme

Dodik: Republika Srpska nuk duhet të ndahet nga çështja e Kosovës

Kryetari i Republikës Serbe, Millorad Dodik

Milorad Dodik, anëtar i Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës – thotë se “Republika Srspska s’mund të ndahet nga çështja e Kosovës”.

Këtë, ai e tha pasi Bosnjën e vizitoi Gabriel Escobar, zyrtar i lartë amerikan – i ngarkuar me çështjet e Ballkanit.

“Ai po përpiqet ta qetësojë situatën, të gjejë disa zgjidhje dhe pastaj të kthehet për një kohë për të provuar një dakordim për diçka”, tha Dodik për Tanjug.

Madje, një nga deklaratat kyçe të tij pas takimit që pati me Gabriel Escobar ishte se nuk do të ketë luftë në Bosnje dhe Hercegovinë.

Gabriel Escobar dhe Miload Dodik.

“Sigurisht që nuk ka luftë. (Përfaqësuesi i Lartë Christian) Schmidt po gënjen. Nuk do të ketë luftë këtu. Askush nuk ka potencial, as nuk mund të fitojë askush. Askush nuk dëshiron dhe nuk është i interesuar për këtë. Kjo është luftë politike për interesat”, pohoi Dodik.

Situatës në Bosnjë dhe Hercegovinë po i referohet edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ky i fundit po i referohet “Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, si i ngjashëm me atë që Serbia e ka instaluar në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Pos me Kosovën, Beogradi ka probleme edhe me Malin e Zi dhe Bosnjën.

Pikërisht në një kohë, kur presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, po e përdor konceptin “Bota Serbe”. /Shqip.com