Lajme

DKA në Podujevë kërkon nga prindërit që nga nesër t’i dërgojnë fëmijët në shkollë

Shkolla

Drejtoria Komunale e Arsimit dhe Këshilli i Prindërve në Podujevë kanë kërkuar nga prindërit që ti dërgojnë që nga nesër fëmijët në shkollë.

Përmes një njoftimi në Facebook, drejtori i DKA-së në Podujevë, Avni Fetahu ka thënë se kjo ka ardhur edhe nga vullneti i një numri të madh të mësimdhënësve që të kthehen në shkollë.

“Karshi përgjegjësisë që na takon si DKA dhe Këshill i Prindërve nuk mund të rrimë duarkryq karshi kësaj situate, ne kërkojmë nga ana e prindërve në Komunën e Podujevës, që nga nesër t’i dërgojnë fëmijët në shkollë, duke e parë edhe vullnetin e një numri të madh të mësimdhënësve t’i kthehen procesit mësimor”, shkroi Fetahu.

Sipas Fetahut, në takimet e zhvilluara në mes DKA-së dhe Këshillit të Prindërve në Podujevë kanë vlerësuar se grevë ai dëmton nxënësit.

“Pas takimit të zhvilluar të DKA-së dhe Këshillit të Prindërve duke e vlerësuar se greva e përgjithshme e shpallur nga SBASHK-u në nivel vendi më të dëmtuarit janë nxënësit nga kjo formë e shprehjes së pakënaqësisë dhe kërkesave të Sindikatës së Arsimit”.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së bashku me sindikatat e tjera në Kosovë janë në grevë të përgjithshme që nga 25 gushti.

Sipas sindikalistëve, greva do të vazhdojë deri në një afat të pacaktuar dhe do të ndalët atëherë kur vendos anëtarësia ose kur Qeveria të plotësoj kërkesat e tyre.

Përkundër faktit se shkollat janë në grevë, disa shkolla kanë vazhduar procesin mësimor në vend por ato janë në numër të paktë.

Kryetarët e komunave ku udhëheqë Lëvizja Vetëvendosje kanë marrur vendim që procesi mësimor të fillojë, por prapë disa nga shkollat nuk e kanë respektuar vendimin./Shqip.com