Lajme

Djali i Ukshin Hotit: Na thoshin babin e keni gjallë, kërkuan 400 mijë €

Andin Hoti

Duke folur pastaj për rastin tjetër kur i janë kërkuar 400 mijë euro, Hoti tregon se kjo ka ndodhur një javë pasi në RTK ishte transmetuar në emisionin hulumtues “Udhëve”, për disa dokumentacione sipas të cilave, Ukshin Hoti është i vrarë dhe i varrosur.

“Mbi dy javë më kanë mbajtur në ethe mua dhe gjithë familjen”, rrëfen Hoti, duke sqaruar se ishte 99% i bindur se ishte mashtrim. “Por ai 1 % ishte ndoshta gjithçka për mua, madje aq i madh saqë të dridhej trupi gjatë tërë kohës e të linte pa gjumë, derisa u përmbyll”.

Hoti tregon edhe fjalët që ia thoshin. “Se babi ishte gjallë, në një burg të fshehtë në Serbi, e shikova dje, e shikova pardje, shkoj nesër e bëj një foto ta dërgoj, ua sjell deri në kufi”, rrëfen Hoti fjalët e mashtruesit, që për të gjitha këto, kërkonte 400 mijë euro.

“Kur je familjar e dëgjon fjalë të tilla, është emocion i madh dhe e harron logjikën”.

Ai tregon se kurrë nuk ia dërguan fotografinë dhe pas tre javësh, në bashkëpunim edhe me institucionet e Kosovës, është bindur se është mashtrim. “Mashtrimi ishte nga Serbia”.

Duke folur për zhdukjen e veprimtarit Ukshin Hoti, babait të tij, Andin Hoti tregon se saktësinë e  vetme që e di në këtë rast, është 16 maji 1999, ditë e diel, kur pa punuar administrata e burgut, dy gardianë e kanë marrë Ukshin Hotin dhe e kanë zhvendosur jashtë burgut.

“Me qindra tjera informacione kemi por asnjë nuk janë të vërtetuara”, thotë Hoti në “RTK Prime”.

“Një informacion që e kemi marrë është se kinse atë e kanë marrë me një veturë të tipit ‘Yugo’ dhe e kanë dërguar në Istog”, thotë Hoti.

“Tjetër informacion është se kinse është dëgjuar një e shtënë me armë, pasi babi ka dalë nga burgu”, thotë ai, duke shtuar se -“informacion tjetër është se kinse ushtria e ka vrarë 300 metra larg burgut”.

Megjithatë, ai tregon se asnjë nga këto informacione nuk kanë rezultuar të sakta, përfshirë edhe atë se kinse – “ai mbahet i burgosur në burgjet sekrete serbe”.

Duke mirëkuptuar familjarët e të pagjeturve që kërkojnë të afërmit e tyre dhe në rrethana të tilla shpesh përfshihen më shumë nga emocionet sesa nga arsyeja, Andin Hoti tregon se edhe vetë ka pasur raste kur ka menduar se është afër për ta gjetur Ukshin Hotin, babanë e tij.

“Edhe ditëve të fundit ka pasur një moment kur kam shpresuar se jam shumë afër ta gjej, por nuk rezultoi ashtu”, tha Hoti.

Ai tha se ruajtja e familjarëve të tjerë dhe mos shqetësimi i tyre, është primare për të.

Duke kujtuar takimin  fundit me Ukshin Hotin, babanë e tij, Andin Hoti tha se ka ndodhur në dhjetor 1998 në burgun e Mitrovicës së Sremit.

“Ajo që kujtoj janë disa grila sepse nuk na kanë lënë të takohemi”, tha ai, duke shtuar se nuk kanë komunikuar me të, sepse u kërkohej të flisnin në gjuhen serbe.

“Vetëm një shikim dhe lot dhe kaq ishte”.

/Shqip.com