Lajme

Ditë e gjatë për deputetët të enjten, Kuvendi në prill mbanë seancat e shkurtit

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet javën e ardhshme për të diskutuar pikat e papërfunduara të seancave të muajit shkurt.

Kështu u vendos sot në Kryesinë e Kuvendit të mbajtur me grupet parlamentare të partive politike në vend.

Pas kësaj, seanca do të vazhdoj me pikat e papërfunduara edhe të seancës së jashtëzakonshme të datës 15 dhe 16 mars.

Në këtë pjesë të seancës, është paraparë që të shqyrtohen edhe pikat e mbetura të seancës së 7 prillit.

Kryesia vendosi që në të njëjtën ditë, Kuvendi të zhvilloj punimet sipas këtij rendi të ditës ku hyjnë Deklarimet jashtë rendit të ditës, Pyetjet parlamentare, Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-130 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet civile dhe tregtare, Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-139 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin e zhvillimit të impiantit të ujërave të zeza në Mitrovicë.

Tutje pikë rendi do të jetë edhe shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-140 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin e trajtimit të ujërave të zeza në Mitrovicë, Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-141 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për “Projektin e reformës së sistemit të ndihmës sociale në Kosovë”,

Në mbledhjen e sotme, Kryesia shqyrtoi edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj./Shqip.com