Lajme

Disa fshatra në Istog mbesin për orë të tëra në terr për shkak të erës

Ilustrim

Era e fuqishme që fryu të hënën pasdite në Istog ka lënë për orë të tëra disa fshatra të kësaj komune pa energji elektrike.

Enver Rugova, banor i fshatit Cërrcë, tha për Shqip.com se gjatë ditës së djeshme kanë mbetur pa energji elektrike për 6-7 orë, ndërsa për momentin po përballen edhe me mungesë të ujit.

“Dje kemi mbetur pa rrymë po thuajse gjithë ditën, ndonëse vinte kohë pas kohe por ndalej prapë. Diku 6-7 orë kemi qenë në terr, ndërsa tani janë harxhuar edhe rezervat e ujit dhe kemi mbetur pa ujë”, u shpreh Rugova.

Ndërkohë, Naser Gjocaj, përgjegjës i shërbimeve publike në Istog, tha se veç fshatrave, edhe një pjesë e qyteti aktualisht është pa energji elektrike.

Ai bëri të ditur se ekipet tani do të dalin në terren për vlerësim të dëmeve.

“Janë disa fshatra që nuk kanë rrymë, por tani jemi duke dalë në terren. Erërat zakonisht fryn në pjesën veriore, ndërsa pjesa jugore dëmtohet më shumë. Pa rrymë kanë mbetur fshatrat Muzhovinë, Lluga, Tomoc, Llukafc. Një pjesë e Istogut po ashtu nuk ka rrymë, ndërsa një pjesë tjetër po”, deklaroi ai për Shqip-in.

Istogu njihet si qytet ku erërat e fuqishme janë të shpeshta. Rreth dy vite më parë, si pasojë e erës, kjo komunë pësoi dëme materiale në vlerë prej mbi 1 milion e 500 mijë euro./SHQIP.com