Lajme

Diplomon gjenerata e 15-të e kadetëve të FSK-së

Sot ka diplomuar gjenerata e 15-të e kadetëve të Qendrës për Studime Universitare së Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ceremonia e diplomimit të tyre është zhvilluar ë kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka marrë pjesë në diplomimin e kadetëve të rinj të FSK-së, ku tha se diplomimi i sotëm, vendit i jep shpresë për të ardhmen e krenari për të kaluarën.

Kurti tha se nga shkollimi në flakë të luftës, nëpër fazat e shtet-ndërtimit, Ushtria e Kosovës po vazhdon të zhvillohet e modernizohet.

“Burimet njerëzore janë boshti kurrizor i çdo ushtrie e personeli i trajnuar dhe edukuar është bazë për zhvillimin dhe ndërtimin profesional të sistemit të mbrojtjes.

Të dashur kadetë, nga sot jeni të gatshëm që përveç gradës së oficerit, mbi supet tuaja të bartni edhe përgjegjësitë që u janë besuar për ta mbrojtur sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Kosovës, ruajtjen e jetës së qytetarëve dhe mbështetjen e paqes e sigurisë në rajon e botë”, tha Kurti.

Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit thuhet se në këtë ceremoni, 15 kadetë kanë pranuar titullin e oficerëve të Republikës dhe të Forcës.

/Shqip.com