Lajme

Diplomati gjerman: Nëse serbët s’marrin pjesë në zgjedhje, s’ka Asociacion

Zëvendës shefi i misionit të ambasadës gjermane në Beograd, Carsten Meyer-Wiefhausen

Zëvendës shefi i misionit të ambasadës gjermane në Beograd, Carsten Meyer-Wiefhausen tha sot se formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë nuk është i mundur nëse listat e kandidatëve për zgjedhjet që Kosova planifikon t’i mbajë në katër komuna në veri të Kosovës nuk janë dorëzuar.

“Është një çështje krejtësisht praktike. Nëse nuk keni zyrtarë, kryetarë komunash, nuk mund të krijoni një komunitet komunash. Pa njerëz në to, nuk keni institucione. Ju duhen ato institucione. Kaq e thjeshtë është”, tha diplomati gjerman i pyetur për pasojat e mundshme nëse listat e kandidatëve nuk dorëzohen brenda afatit.

Afati i caktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës për aplikimin e kandidatëve për zgjedhjet që planifikohen të mbahen në katër komuna në veri të Kosovës në fund të muajit prill është shtyrë disa herë dhe ka skaduar sot.

Lista Serbe ka përsëritur sot se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në katër komuna në veri të Kosovës derisa të formohet Asociacioni dhe derisa të gjitha njësitë speciale të Kosovës të tërhiqen nga ajo zonë, raporton agjencia e lajmeve Beta.

Meyer-Wiefhausen tha gjithashtu se liderët e Serbisë dhe Kosovës në Ohër më 18 mars kanë pranuar të gjitha dispozitat e aneksit për zbatimin e marrëveshjes dhe se duhet të punojnë në zbatimin e saj hap pas hapi.

/Shqip.com