Lajme

“Dinari”, Stano konfirmon takimin e 27 shkurtit mes Prishtinës dhe Beogradit

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.

Bashkimi Europian është vënë në lëvizje për çështjen e dinarit në Kosovë, pas tensioneve të fundit mes Prishtinës dhe Beogradit.

Në 27 shkurt pritet të zhvillohet në Bruksel takimi i delegacioneve Kosovë-Serbi në prani të përfaqësuesve të BE.

Zëdhënësi i BE-së Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, ka konfirmuar të enjten se Kosovës dhe Serbisë u është dërguar letra me të cilën janë ftuar të vijnë në Bruksel.

Sipas tij, në kuadër të dialogut do diskutohet për zgjidhjen për të tejkaluar problemet të cilat, sipas BE-së, janë shkaktuar me vendime të njëanshme dhe të pa koordinuara të Kosovës.

Stano në këtë mënyrë i është përgjigjur kritikave dhe akuzave që zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i kishte drejtuar ndaj Lajçakut.

Numri dy i qeverisë ka akuzuar Lajçakun se ai po i shkel parimet që vetë i ka caktuar e sipas së cilave asnjë temë në dialog nuk mund të vendoset në agjendë pa pajtimin paraprak të dy palëve.

/Shqip.com