Lajme

Dilemat e Tiranës për Kosovën!

Sa herë Kosovës i lipset mbështetje nga Shqipëria, politikën e Tiranës, në një farë mënyre, e pllakos zia. Madje mund të themi se prej dekadash, Shqipëria ka qenë në pozicion mosbesues në raport me zhvillimet në Prishtinë. Hezitimi ka ardhur për disa arsye dhe pasojat kanë qenë jo të vogla, pasi në diskutim janë vënë fatet e shqiptarëve përtej kufirit.

Së pari, në Tiranë janë parë me dyshim lëvizjet që vinin nga Kosova që para 3-4 dekadash kur nisën lëvizjet e para për pavarësi. Kjo si rrjedhojë e propagandës së Beogradit të cilët i stigmatizonin përpjekjet për liri si përpjekje për cenimin e rendit shtetëror dhe kushtetues të ish-Jugosllavisë. Të dy sistemet që ka kaluar Shqipëria në vetëvete kanë patur një qasje jo kompakte në kontekstin e vazhdimësisë së faktorit shqiptar nga Shqipëria në Kosovë dhe viset e tjera shqiptare. Dhe kjo trashëgimi duket se është e gjallë edhe në ditët e sotme.

Së dyti, qeveritarët e Tiranës nuk kanë patur asnjëherë besim se Prishtina do të ishte në gjendje të ndërtonte një elitë politike efikase e cila do të përballonte me çdo mjet presionin e Beogradit. Ish-presidenti i Kosovës, Dr.Ibrahim Rugova ndoqi rrugën e paqes që në fillesat e lëvizjes së tij për një Kosovë shtet sovran dhe të pavarur. Ai besonte te “Gandizmi” si një filozofi që duhet të dominonte në Ballkanin Perëndimor, pas luftërave të përgjakshme që serbët bënë në Kroaci dhe Bosnje Hercegovinë, me masakra dhe gjenocide të padënuara ende sot e kësaj dite.

Mirëpo, krahas rrugës së paqes, Kosova kishte edhe krahun e armatosur sepse i njihte mirë serbët dhe në mënyrë të veçantë kishte njohur mirë “kasapin e Ballkanit”, Sllobodan Millosheviç i cili kreu tre luftëra të përgjakshme me mijëra të vdekur në Kroaci, Bosnje dhe në fund në Kosovë. Pra, me serbët përballë ishte e pamundur arritja e pavarësisë përmes rrugës së paqtë, duhej edhe arma që të motivonte dhe ngrinte moralin e popullsisë, por edhe t’i jepte një mesazh të mirë Beogradit se nuk do të arrinte ta shtypte më Kosovën.

Së treti, Tirana ndikohet jo pak nga politika e Bashkimit Europian. Zvarritja e proceseve integruese në Kosovë, siç është në rastin konkret shtyrja në “kalendat greke” e procesit të liberalizimit të vizave, në Tiranë reflektohet si mesazh se rrugëtimi drejt BE do të jetë i vështirë, në mos i pamundur, për shqiptarët. Bashkimi Europian, duke tentuar predominancën e tij në rajon, kjo edhe si rrjedhojë e lobeve pro-serbe dhe pro-sllave në të, sa kohë edhe sot e kësaj dite janë 5 shtete anëtare të BE që nuk e njohin Kosovën, bën që Tirana zyrtare të ndjehet e lodhur dhe të ulë kokën sa herë ndaj Kosovës dhe faktorit shqiptar në rajon bëhen padrejtësi. Por a do të zgjasë kjo pafundësisht? Shpresojmë jo!

Megjithatë, sado që Edi Rama të shprehet me tone nervoze se jo gjithmonë Shqipëria do t’i mbajë iso-n Kosovës, duke bërë si “vëllai i madh” që është strapacuar me tekat e pafundme të të voglit, dikush duhet t’i tregojë se qeveria dhe shteti funksionon mbi një ligj themeltar, që është Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Neni 8 i Kushtetutës ka të sanksionuar: “Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj”.

Dhe, do apo nuk do Edi Rama apo kushdo qoftë, çdo hap në kah të kundërt përbën shkelje të Kushtetutës dhe shkelja e Kushtetutës të rrëzon nga pushteti.

/Shqip.com