Lajme

Dikush shkatërron parkun “Idriz Rreci” në Skenderaj, reagon kryetari i Komunës

Parku i qytetit të Skenderajt, “Idriz Rreci” është dëmtuar rëndë nga disa persona të cilët ende nuk janë identifikuar.

Lidhur me këtë, ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura i cili tha se pavarësisht përpjekjeve për të mirën e qytetarëve, gjithmonë del dikush qe dëfrehet me vandalizëm.

“Pavarësisht përpjekjeve tona që me mish e shpirt mundohemi të krijojmë pak hapësirë për pushim, rekreacion dhe shëtitje, siç është parku i ri i përuruar javën e kaluar, për secilin që merr frymë në komunën tonë, për fatin tonë të keq, ekziston gjithmonë dikush i cili dëfrehet me vandalizëm, deri në këtë nivel sa shkatërron pushimoret dhe lojërat e fëmijëve në Parkun “Idriz Rreci” në qytet”, shkroi Nura.

Tutje, Nura tha se kushdo që ka mundur ta bëjë këtë veprim do të jep llogari.

/Shqip.com