Lajme

Dialogu Kosovë-Serbi vazhdon javën tjetër në nivel të kryenegociatorëve

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka bërë të ditur se javën e ardhshme do të zhvillohet një takim në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, në nivel të kryenegociatorëve.

Kryenegociatori i Kosovës për këto takime është zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, ndërsa i Serbisë është udhëheqësi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Në këtë takim është thënë se fokusi do të jetë në zbatimin e Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve – për të cilën Kosova dhe Serbia kanë arritur pajtueshmëri më 27 shkurt – si dhe në aneksin e zbatimit, për të cilin palët janë dakorduar më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Stano është shprehur i kënaqur që, siç ka thënë ai, dialogu po bëhet më i popullarizuar në rajon dhe se po organizohen gjithnjë e më shumë takime.

Ai ka deklaruar kështu duke iu referuar një propozimi të kryeministrit me mandat teknik të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, që takimi i radhës mes Kosovës dhe Serbisë të zhvillohet në shtetin që drejton ai.

“Na vjen mirë që dialogu po bëhet kaq i popullarizuar në rajon dhe gjithnjë e më shumë vende po ofrohen që të jenë mikpritës të tij. Por le të shkojmë hap pas hapi. Dialogu është i bazuar në Bruksel dhe kemi arritur një hap shumë të rëndësishëm në Ohër, pas arritjes së pajtueshmërisë mes presidentit të Serbisë dhe kryeministrit të Kosovës, ku ata u pajtuan edhe për Marrëveshjen, edhe për aneksin e implementimit. Tash fokusi është në implementim”, ka thënë ai.

Stano ka folur edhe për hapat që janë bërë pas takimit të Ohrit.

“Kemi pasur takim në Këshillin e Punëve të Jashtme ku Përfaqësuesi i Lartë [Josep Borrell] i njoftoi ministrat. Pastaj, ai ka informuar dhe partnerët tjerë. Kemi pasur edhe Këshillin Evropian, ku liderët miratuan këtë, dhe porositën të dyja palët se duhet të vazhdojnë me implementim të shpejtë, me mirëbesim të obligimeve që kanë marrë mbi vete“.

Stano ka paralajmëruar se brenda BE-së po punohet që të rinisë puna në adaptimin e kornizës negoiciuese me Serbinë, më saktësisht Kapitullin 35, dhe në mënyrë përkatëse edhe në rastin e Kosovës.

/Shqip.com