Ekonomi

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë i kërkon BQK-së lejimin e punës së “PayPal” në Kosovë

PayPal

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë përmes një shkrese ka kërkuar nga Guvernatori i Bankës Qëndrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, që Kosova të jetë pjesë e sistemit elektonik të pagesave përmes Paypal.

Përmes një njoftimi për media, Dhoma e Tregtisë bën të ditur se ka kohë që është duke kërkuar nga BQK-ja dhe Institucionet që të mundësohet realizimi i pagesave ndërkombëtare përmes sistemit PayPal.

“Dhoma e Tregtisë ka pranuar shqetësime nga bizneset të cilat eksportojnë jashtë vendit, dhe bëjnë tregti elektronike përmes ecommerce, e të cilat kërkojnë që pagesa të realizohet përmes Paypal. Pamundësia e realizimit të kësaj të fundit po bënë që bizneset të humbin edhe klientët potencial, çështje kjo e ngritur edhe në takimet me Kryeministrin dhe Ministrin Murati”, thuhet në njoftim.

Banka Qendrore e Kosovës

Sipas Dhomës së Tregtisë trajtimi me prioritet i kësaj të fundit do të kishte ndikim pozitiv tek operatorët ekonomik dhe do të lehtësonte realizimin e pagesave ndërkombëtare.

“PayPal”është kompani amerikane që shtrihet në pothuajse në të gjitha vendet e botës dhe ofron mundësi të pagesave online, transferimin e parave dhe shërbime të tjera.

Theksojmë se kryeministri i vendit, Albin Kurti gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishte zhvilluar takim me drejtues të PayPalit.

Lexo edhe:
Kurti në Davos takon drejtuesit e PayPalit, kërkon që Kosova të përfshihet në platformë

Sipas njoftimit, Kurti ka takuar zëvendëspresidentin e kompanisë Richard Nash si dhe Franz Paasche në cilësinë e drejtuesit për Marrëdhënie me qeveri.

Kurti, gjatë takimit kishte kërkuar që Kosova të përfshihet në këtë platformë./Shqip.com