Lajme Ballkan

Dhoma Amerikane e Tregtisë reagon për dënimin me burg ndaj ish-ministrit Tahiri: Drejtësia nisi të zgjohet

Ish-ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Saimir Tahiri

Dhoma Amerikane e Tregtisë ka komentuar dënimin me burg të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Në një deklaratë, presidenti Enio Jaço shkruan se ky vendim ka ndezur sinjalin e parë se Drejtësia në Shqipëri po nis të zgjohet.

“Dënimi i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri ka ndezur disi sinjalin e parë se Drejtësia në Shqipëri po nis të zgjohet. Pavarësisht masës së dënimit që kërkon guxim dhe “stomak të fortë” ligjor e profesional, fakti se zyrtarë apo ish-zyrtarë në nivelet më të larta të qeverisë mund të ndëshkohen po ç’rrënjos kulturën primitive, që përbën thelbin e problemeve në Shqipëri. Një fenomen i ngritur me shqetësim nga Dhoma Amerikane për padrejtësitë që prej vitesh vuajnë bizneset e ndershme në dyert e gjykatave, e që gjithashtu mban larg investitorët e huaj”, ka shkruar Jaço.

Enio Jaço

Megjithatë, ai thotë se vendimi për ish ministrin, nuk do të thotë se drejtësia në Shqipëri është perfekte.

Sipas Jaços, ky mund të jetë një fillim i gjatë në kohë.

Dënimi i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri ka ndezur disi sinjalin e parë se Drejtësia në Shqipëri po nis të zgjohet.

“Ky mund të jetë një fillim i gjatë në kohë, megjithatë sado i vakët të jetë ka bërë që sot disa njerëz të ndershëm të ndihen pak më mirë, disa të heshtin dhe të presin më tej dhe disa të pandershëm por të fuqishëm të ndihen në siklet, e ndoshta dhe në panik! Por që drejtësia të nisë të gëzojë Besueshmërinë e njerëzve do duhet kohë, dhe më shumë vepra reale të tilla, që të nisë të japë efektet e saj”, shkruan më tej Jaço.