Lajme

Dhënia e qelive me qira, Bislimi takohet me ministrin e Drejtësisë së Danimarkës

Zëvendëskryeministri për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Kosovës, Besnik Bislimi, ka pritur sot në takim Ministrin e Drejtësisë të Mbretërisë së Danimarkës, Nick Hækkerup.

Në takim wshtw biseduar mbi avancimin në procesin e miratimit në Kuvend të marrëveshjes ndërkombëtare dypalëshe për dhënien në shfrytëzim të qelive për të burgosurit nga Mbretëria e Danimarkës, marrëveshje kjo e cilësuar si një bazë solide për bashkëpunimet e radhës.

Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi gjithashtu progreset e arritura nga Kosova në fusha, si sundimi i ligjit, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe zhvillimin ekonomik.

Ministri Hækkerup vlerësoi angazhimin e Republikës së Kosovës dhe konfirmoi përkushtimin e Mbretërisë së Danimarkës për përkrahje në fusha të ndryshme zhvillimore, projekte të ardhshme të mundshme, si dhe në rrugën evropiane dhe të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Zëvendëskryeministri Bislimi foli për objektivat e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të ardhmen evropiane, të cilat janë integrimi në Bashkimin Evropian, anëtarësimi në Këshillin e Evropës, si dhe nevoja e liberalizimit të vizave për qytetarët e vendit.

Republika e Kosovës dhe Mbretëria e Danimarkës kanë ndërtuar marrëdhënie të ngushta partneriteti, e cila do të vijojë të thellohet, në kuadër edhe të projekteve e bashkëpunimeve të ardhshme.