Detaje nga vrasja e 31 vjeçarit në Prizren, dorasi dyshohet të jetë pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja
Konflikti i orëve të para të mëngjesit, në një lokal nate në qytetin e Prizrenit, ka përfunduar me një të vdekur, ndërsa një tjetër është plagosur.
Ngjarja ka ndodhur në lokalin e natës “Kobra City”, që ndodhet në dalje të Prizrenit dhe dorasi dyshohet të jetë pronari i lokalit, D.H, i cili aktualisht është duke u intervistuar në stacionin policor në Prizren.
Kështu ka thënë për Shqip.com, zëdhënësi i policisë rajonale të Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili ka theksuar se përveç pronarit të lokalit janë edhe pjestarët e stafit dhe dëshmitarët okularë.
“Po intervistohet stafi i lokalit ku ka ndodhur rasti dhe dëshmitarët okularë. Po ashtu, po intervistohet edhe pronari i lokalit si i dyshuar”, tha Bytyqi.
Sipas asaj që raportojnë mediat në Shqipëri, viktima është 31 vjeçar, me inicialet V.C, ndërsa i plagosuri R.SH, ndodhet jashtë rrezikut për jetë.
Drejtuesit i veturës Arben Basha dhe Rufgen Shehu kanë deklaruar në Morinë te Policia Kufitare dhe më pas te grupi hetimor i DVP Kukës që u ngrit për këtë rast se dyshojnë se i ka qëlluar pronari i lokalit të natës “Kobra” në Prizren në momentin që këta po largoheshin me automjet pas sherrit.
Konflikti në lokal ishte i çastit, fizik jo me armë. Shehu ka marrë një plumb në këmbë duke i prekur kockën e gjurit. Pas ndihmës së parë mjekësore në urgjencën e Kukësit, i plagosuri është transportuar në Tiranë për ndihmë më të specializuar.
Tutje, bëhet e ditur se trupi i viktimës është dërguar në morgun e Tiranës për t’iu nënshtruar autopsisë pasi në Spitalin Rajonal të Kukësit mungojnë specialistët e mjekësisë ligjore.
/Shqip.com