Lajme

Dështon gjykimi për vrasjen e policit në ndejën në Zllatar

Foto ilustruese

Për shkak se përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Besnik Berisha, ishte i angazhuar në një rast tjetër, ka dështuar të mbahet seanca e së martës, në rastin ku Fatlum Mehmeti po akuzohet se me dashje eventuale ka privuar nga jeta anëtarin e Policisë së Kosovës, L.H. në një ndejë të organizuar nga pjesëtarët e PK-së në Zllatar, në shkurt të vitit të kaluar.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Kushtrim Shyti tha se avokati Berisha e ka njoftuar më 6 mars 2023 përmes e-mailit, se nuk mund të jetë i pranishëm në këtë seancë.

Sipas gjykatësit Shyti, përmes këtij e-maili, avokati Berisha e ka njoftuar se për shkak të një angazhimi tjetër në Departamentin Special, e ka të pamundur që të jetë i pranishëm në këtë seancë dhe ka kërkuar që e njëjta të shtyhet për një datë tjetër.

Po ashtu, shtyrja e kësaj seance është kërkuar edhe nga pala e dëmtuar, L.H (motra e viktimës), pasi që sipas saj, prania e avokatit është e domosdoshme edhe pse e njëjta tha se nuk ka ndonjë ankesë konkrete ndaj askujt.

Gjithashtu, ajo ka kërkuar që kjo seancë të shtyhet edhe për shkak të mungesës së nënës së tani të ndjerit L.H., e  cila sipas saj për shkaqe shëndetësore dhe nuk mund të marrë pjesë në seancë.

Andaj, gjykatësi Shyti ka konstatuar se në mungesë të përfaqësuesit të palës së dëmtuar, avokatit Besnik Berisha, nuk janë plotësuar kushtet për mbajtjen e këtij shqyrtimi gjyqësor, raporton Betimi për Drejtësi.

Ndërkaq, seanca e radhës është caktuar më 14 prill 2023, pasi që sipas gjykatësit Shyti të gjitha terminet e mëhershme janë të zëna me seanca tjera.

/Shqip.com