Lajme

Dështon gjykimi ndaj ministres Gërvalla për mosraportim të pasurisë

Donika Gërvalla - Ministre e Punëve të Jashtme të Kosovës

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka dështuar të mbahet shqyrtimi fillestar ndaj ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, lidhur me akuzën për mosraportim të pasurisë, për shkak se e njëjta nuk kishte të angazhuar avokat.

Gjykatësi Adnan Kamberi njoftoi të akuzuarën se për shkak të denueshmërisë së veprës duhet që e njëjta të angazhoi avokat personalisht, ose në të kundërtën mund t’i caktoj avokat edhe gjykata sipas detyrës zyrtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me këtë e akuzuara Gërvalla deklaroi se për shqyrtimi e radhës do të angazhojë me autorizim një avokat.

“Nuk kam avokat dhe do të angazhojë avokat me autorizim”, tha Gërvalla.

Ndryshe, më 2 tetor 2021, “Betimi për Drejtësi” ka raportuar se Donika Gërvalla, zëvendëskryeministre dhe ministre e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës (MPJD), nuk ka deklaruar të gjitha funksionet në institucione vendore e ndërkombëtare.

Katër muaj pas këtij hulumtimi, Agjencia Kundër Korrupsion (AKK), tani Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK), kishte njoftuar se është ende duke trajtuar rastin e ministres Gërvalla.

Sipas këtij hulumtimi, rezultoi se Gërvalla nuk ka deklaruar se posedon biznes në Gjermani, nuk ka treguar se është drejtoreshë e një fondacioni në Kosovë dhe as nuk ka deklaruar pasurinë e burrit dhe fëmijëve të saj.

/Shqip.com