Lajme

Dëshmitari thotë se ia vranë vëllaun e mitur pa ndonjë arsye

Dëshmitari

Lum Bulliqi ka deklaruar të martën se pa ndonjë arsye, i akuzuari Eduard Ibrahimi ia kishte vrarë vëllaun e tij të mitur, L.B., përcjell Shqip.com.

Këto deklarata ai i bëri në gjykimin për vrasjen që kishte ndodhur vitin e kaluar në Prishtinë, për të cilën po akuzohet Eduard Ibrahimi.

“Nuk ka pasur arsye me ardhë deri këtu, prej një fëmije 17 vjeçar çka po pret me t’bo dom”, ka thënë dëshmitari Lum Bulliqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit, ka treguar se ditën kritike ka qenë në punë kur e kishte pranuar një thirrje nga vëllau i tij, Joni se tashmë i ndjeri, L.B., ishte plagosur.

Me të kuptuar këtë informacion, dëshmitari ka thënë se ishte nisur në vendin e ngjarjes tek parku në lagjen “Dragodan” dhe kur kishte mbërritur aty tha se kishte parë forca policore.

“Kur kam mbërri veni ka qenë i rrethuar me polic, e kam pa Burimin, nuk më ka lënë policia me u afru edhe pse L., prej një distance prej 3-4 metra e kam pa, një person ka qenë duke i ofruar ndihmë mjekësore. Pas një minuti ka ardhur ambulanca, kam shkuar mbrapa ambulantes me kerr deri në spital”, ka thënë dëshmitari.

Ai ka thënë se nuk kishte parë ndonjë armë në vendin e ngjarjes dhe se në ato momente nuk e kishte ditur se kush ia kishte plagosur vëllain.

Dëshmitari deklaroi se pas këtij rasti e kishte kuptuar se vëllai i tij i ndjerë L.B., kishte pasur një konflikt me të akuzuarin Eduard Ibrahimi.

“Më vonë e kam marrë vesh se kanë pasur një konflikt, për shkak se kur L., ka qenë me shokun e tij Arberin, i akuzuari me katër shokë të tjerë i kanë dalë me kerr, ku kanë pasur dy armë me vete. Por, shoku i L., e ka evitu konfliktin duke e larguar L., prej aty, e ka qetësu situatën dhe nuk kanë pasur ndonjë konflikt më të madh përpos kërcënimit të armës”, ka thënë dëshmitari.

Eduard Ibrahimi akuzohet se më 12 mars 2020 e ka privuar nga jeta të miturin L.B., dhe me dashje ka vënë në rrezik jetën e dy të dëmtuarve, R.G dhe B.S.

Kurse, Përparim Ibrahimi akuzohet se kishte ndihmuar të akuzuarin Eduard Ibrahimin për të fshehur armën me të cilën dyshohet se është kryer vrasja.

Ndërkaq, Lirim Begolli akuzohet se pasi që dy të akuzuarit, Ibrahimi dhe Matoshi kishin kryer veprën penale, i njëjti i kishte strehuar në shtëpinë e tij.

Në seancën e majit 2021, Egzon Matoshi kishte pranuar fajësinë që e kishte ndihmuar të akuzuarin Eduard Ibrahimi që të kryejë vrasjen.

Sipas aktakuzës së ngritur më 18 nëntor 2020, Eduard Ibrahimi akuzohet se më 12 mars 2020, rreth orës 15:00, në Prishtinë, e ka privuar nga jeta të miturin L.B., dhe me atë rast me dashje ka vënë në rrezik jetën e të dëmtuarve R.G. dhe B.S.

Siç thuhet në aktakuzë, i pandehuri Ibrahimi kishte pasur konflikt disa ditë më parë me të ndjerin L.B, dhe se vrasja kishte ndodhur derisa i ndjeri kishte qenë duke ecur rrugës së bashku me të dëmtuarit R.G. dhe B. S., nga drejtimi i lagjes “Arbëria” në drejtim të Stacionit të Autobusëve në Prishtinë.

Sipas prokurorisë, pas tyre kishin shkuar me motoçikletë-skuter i pandehuri Ibrahimi dhe i pandehuri Egzon Matoshi, të cilin e kishte drejtuar Ibrahimi, ndërsa prapa tij ka qenë ulur i pandehuri Egzon Matoshi.

Aty thuhet se kur janë afruar përafërsisht 10 metra, i pandehuri Eduard Ibrahimi e ka ulur shpejtësinë e lëvizjes dhe ka zbritur nga motoçikleta, të cilën e ka mbajtur i pandehuri Egzon dhe pastaj menjëherë i pandehuri Eduard e kishte nxjerr nga brezi pistoletën dhe kishte shtënë në drejtim të të ndjerit L.B, duke e qëlluar në kokë, e pastaj të dy kishin ikur nga vendi i ngjarjes./SHQIP.com