Lajme

Dëshmitari i rastit të Ivanoviqit thotë se tre të akuzuarit të përfshirë në vrasjen e tij kanë qenë në vendin e ngjarjes

Milija Millosheviq i cili ka qenë fillimisht dëshmitar anonim me shifrën “D” në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviq sot në dëshminë e tij para gjykatës është shprehur se tre të akuzuarit Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq dhe Nedeljko Spasojeviq kanë qenë në vendin e ngjarjes ku kishte ndodhur vrasja e politikanit serb.

Ndërsa, për të akuzuarin Rade Basara ai tha se nuk i kujtohej nëse ka qenë aty për shkak se në vendin e ngjarjes sipas tij, ka pasur shumë njerëz nga regjioni po ashtu edhe forenzika.

Të akuzuarit Nedejklo Spasojeviq, Marko Roshiq, Rade Basara dhe Silvana Arsoviq ngarkohen  se në bashkëpunim edhe me të pandehurit që janë në arrati Zheiko Bojiç, Zvonko Veselinoviç dhe Milan Radoiçiç kanë kryer vrasjen e Oliver Ivanoviqit, raporton Betimi për Drejtësi.

Ai tha se si epror, tani të akuzuarit Spasojeviq i kishte dhënë urdhër  që të shkoj në vendin e ngjarjes dhe të shikoj se çfarë ka ndodhur e që i njëjti shumë shpejtë e kishte njoftuar atë se në vendin e ngjarjes kishte gjet disa gëzhoja.

Po ashtu, Millosheviq, deklaroi se në janar të vitit 2018, kishte punuar si shef i operativës në stacionin policor në veri të Mitrovicës dhe më 16 janar kur kishte ndodhur vrasja e Ivanoviq kishte qenë në punë.

Sipas tij, kolegët e tij policë kishin shkuar në spital dhe kishin pranuar një informatë jo zyrtare se Ivanoviq ishte gjuajtur me armë.

Pas kësaj, ai tha se janë dërguar policët hetues për të parë se çfarë ka ndodhur në të vërtetë ndërsa shtoi se policët tjerë në afërsi e kanë siguruar vendin e ngjarjes.

“Menjëherë pas pranimit të kësaj informate jemi drejtuar drejtë vendit të ngjarjes, vendi i ngjarjes është siguruar nga dy pjesëtarë të policisë të cilët kane qenë afër dhe i kemi siguruar dy parametra, të ngushtë dhe të zgjeruar, për arsey të rëndësisë së rastit”, tha dëshmitari Millosheviq.

Gjithashtu, Millosheviq është shprehur se propozimi për të qenë dëshmitar anonim ka ardhur tek deklarata e dhënë më 6 qershor 2019, e pas kësaj deklarate ai tha se ka qenë pastaj në seancë në gjykatë dhe pas asaj seance më asnjëherë nuk kishte dhënë deklaratë.

Seancat e radhës për këtë çështje penale u caktuan më 18 tetor, 1 dhe 4 nëntor të këtij viti.