Lajme

Dëshmitari akuzon kabinetin e Lekajt se ushtruan presion për paratë e autostradës “Arbën Xhaferi”

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj

Kompania “Hill” i kishte lëshuar opinion Qeverisë së Kosovës që konsorciumi “Bechtel Enka” të paguhet vetëm 14 milionë euro për zgjatjen e afatit të punimeve në autostradën “Arbën Xhaferi”.

Mirëpo ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj nuk veproi sipas opinionit të kompanisë “Hill” dhe si rrjedhojë u paguan 53 milionë euro, raporton Koha.net

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Lekajt dhe dy personave të tjerë për keqpërdorimin e pozitës zyrtare.

Pal Lekaj dyshohet se fshehu raportin e kompanisë “Hill” duke mos prezantuar tek anëtarët e tjerë të Qeverisë.

Kurse ish-këshilltari i Lekajt, Eset Berisha i cili është i akuzuar në këtë rast kishte ushtruar trysni në Departamentin Ligjor në Ministrinë e Infrastrukturës për përpilimin e një opinioni ligjor me të cilin mundësohet që 53 milionë euro të derdhen në arkën e kompanisë “Bechtel Enka”.

Opinioni ishte lëshuar nga Departamenti Ligjor dhe në këtë pikë prokuroria ka një dëshmitar të rëndësishëm.  

Hetuesit kanë intervistuar Avdi Kamerollin i cili në vitin 2018 ishte udhëheqës i përkohshëm Departamentit Ligjor në Ministrinë e Infrastrukturës.  

Ai ka deklaruar në hetuesi se kabineti i Lekajt kishte bërë presion që të lëshohet një opinion i cili u përshtatet atyre.

Dëshmitari kishte deklaruar se opinioni ishte lëshuar shkaku i presionit.

Ndërkaq katër ish-ministra të Qeverisë Haradinaj janë intervistuar nga hetuesia për aferën e pagesës së 53 milionë eurove për konsorciumin “Bechtel Enka”, në emër të vonesave. 

Bajram Hasani, ish-ministër i Tregtisë ka deklaruar se nuk  ka njohuri për raportin e kompanisë “Hill” pasi nuk ishte paraqitur asnjëherë në Komitetin Ndërministror.

Në hetuesi, edhe ish-ministri nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, përgjegjësinë se pse anëtarët e komitetit s’e kanë parë këtë opinion që sugjeronte Qeverinë të paguante shumë më pak para, e ka hedhur tek ish-ministri Lekaj.

Edhe ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik nga radhët e AKR-së, Valdrin Lluka, ka thënë që kurrë nuk e ka parë një opinion të tillë.

E, kolegia e Lekajt, ish-ministrja nga radhët e AAK-së, Albena Reshitaj, ka folur edhe për një rrethanë tjetër.

Në hetuesi ka deklaruar që në Komitet u është thënë që nëse kjo pagesë nuk do të bëhej, ekzistonte rreziku që rasti të përfundonte në Arbitrazh dhe se aty Kosova do të mund të humbiste 200-300 milionë euro. /Shqip.com