Lajme

Deri në 5 orë pritje në pikë-kalimin kufitar në Merdarë

Foto e ilustruar

Mërgimtarët të cilët jetojnë në vendet perëndimore kanë filluar të vijnë në Kosovë për t’i kaluar pushimet, e disa të tjerë i kanë përfunduar tashmë.

Një pjesë e tyre po përballen me pritje të gjata në Merdarë, kur temperaturat e ajrit janë afër 40 gradë.

Sipas të dhënave të fundit, Qendrës Kombëtare për Menaxhimin Kufitar (ora 18:19), derisa ka rënë fluksi i bashkatdhetarëve që po vijnë në Kosovë, është shtuar numri i atyre që kanë përfunduar pushimet në vendlindje dhe po kthehen në vendet e Evropës Perëndimore.

Pritje më të gjata janë regjistruar në dalje të Kosovës, në pikë-kalimin kufitar në Merdarë, ku është krijuar kolonë deri në 1,500 metra dhe bashkatdhetarët po presin deri në pesë orë. Ndërsa, për të hyrë në Kosovë në këtë pikë-kalim kufitar pritet deri në 20 minuta.

Edhe në pikë-kalimin kufitar me Serbinë, në Muçibabë, për dalje nga Kosova, bashkatdhetarët po presin deri në dy orë, kurse kolona e automjeteve është deri në një kilometër.

Ndërkaq, te Dheu i Bardhë, kolona dhe pritje më të gjata deri në 90 minuta janë krijuar në anën serbe të kufirit, hyrje për në Kosovë.

Në pikë-kalimin kufitar në Jarinje gjithashtu duhet të pritet deri në 40 minuta për të hyrë në Kosovë.

Ndryshe, këtë vit është raportuar se numri i bashkatdhetarëve që kanë vizituar Kosovën është disa herë më i lartë, krahasuar me vitin e kaluar kur për shkak të pandemisë shumë prej tyre nuk kanë pasur mundësinë të vijnë në atdhe për pushime./SHQIP.com