Sport Shqiptar

Derbi i fundjavës në Superligë, Drita-Prishtina

Ilustrim.
Ilustrim.

Të shtunën e të dielën do të zhvillohet xhiroja e 30-të e Superligës në futboll.

Ndeshja kryesore e javës zhvillohet mes Dritës e Prishtinës, ditën e shtunën.

Në këtë përballje të kaltrit nga Gjilani hyjnë pas dy barazimeve rresht, derisa kryeqytetasit kanë tri fitore në katër sfidat e fundit.

Sa i përket renditjes, Drita është e dyta me 57 pikë, një më pak se lideri, e plot 16 pikë më shumë se Prishtina që është e katërta.

Në duelet direkte, një fitore ka Drita, një Prishtina, e një ndeshje ka përfunduar pa fitues.

Në shtunën zhvillohet edhe një sfidë, Ferizaj e pret Malishevën. Që të dy ekipet kanë pësuar humbje në xhiron e kaluar.

Ferizajasit kanë dy fitore në pesë sfidat e fundit, derisa malishevasit vetëm një.

Sa i përket renditjes, vetëm një pikë është dallimi mes tyre, me Ferizajn që ka 31 për pozitën e tetë, karshi 30 pikëve të Malishevës si e nënta.

Të dielën luhen tri ndeshje. Kampioni në fuqi, Ballkani në shtëpi e pret Trepçën’89.

Që të dy skuadrat hyjnë në këtë duel pasi fituan javën e kaluar. Formë relativisht të njëjtë kanë të dyja në pesë sfidat e fundit.

Fitoret javën e kaluar ishin të vlefshme për të dy ekipet. Ballkani e rimori kryesimin, derisa 89-shi u largua nga zona e kuqe për të kaluar në të shtatin.

Ndeshje shumë interesante na pret në Podujevë, aty ku Llapi e pret Dukagjinin.

Që të dy ekipet kanë synim fitoren për ta kaluar njëra tjetrën në renditje, pasi që kanë nga 39 pikë në pozitat pesë e gjashtë.

Gjithçka baras është edhe sa i përket pesë javëve të fundit, tri fitore, një barazim e një humbje për të dy ekipet.

Gjilani favorit kërkon të marrë fitoren e dytë radhazi, këtë herë takohet me Drenicën, që nuk di për fitore tash e pesë xhiro.

Forma e dobët e kishte përcjellë edhe Gjilanin në xhirot e kaluara por fitorja javën e kaluar i ka mbajtur ata në pozitën e tretë.

Në krahun tjetër, Drenica është e fundit në tabelë dhe me një këmbë nga rënia nga elita.

Nëse i ndodh kjo gjë, do të ishte për herë të parë në histori të klubit që bien nga liga.

/Shqip.com